Plani që njëherë u quajt franko-gjerman dhe tash plan evropian nuk i adreson aspiratat shtetërore të Kosovës, u shpreh Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi në seancën e sotme të Kuvendit.
Pesë shtylla i paraqiti Krasniqi, të cilat sipas tij, reflektojnë edhe qëllimet e të gjithë qytetarëve, dhe të cilat Krasniqi tha se Partia Demokratike do t’i mbështesë.
“Ruajtja e karakterit unitar të shtetit sipas rendit kushtetues të Kosovës, njohja formale nga pesë shtetet mosnjohëse të Bashkimit Evropian, nisja e procesit të anëtarësimit të Kosovës në NATO përmes bërjes fillimisht pjesë të Partneritetit për Paqe, marrja e statusit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, njohja e ndërsjellë Kosovë-Serbi”, tha Memli Krasniqi.
Krasniqi ndonëse e përshëndeti marrëveshjen e arritur mbrëmjen e së mërkurës në Bruksel për çështjen e targave, tha se ndjehet keq që kur lexoi mediat e rajonit shkruhej se “Kryeministri i Kosovës Albin Kurti pranoi gjithçka çfarë kishte refuzuar të hënën”.
Dramë që pa pikë nevoje është shkaktuar nga Kurti, i quajti ngjarjet e fundit të këto katër-pesë javëve të fundit, kreu i PDK-së.
Përveç kësaj, Krasniqi e kritikoi kryeministrin se e bëri presidentin serb Aleksandar Vuçiç palë në diskutime që janë në ekskluzivitetin vendimmarrës të qeverisë kosovare.
“Keni ndjellur frikë dhe panikë të panevojshme”, ka thënë Krasniqi.