Krasniqi i PSD-së: Për herë të parë Asociacioni po njihet pa kushtëzim nga Qeveria Kurti

09:31 | 21 Dhjetor 2023
krasniqi-i-psd-se:-per-here-te-pare-asociacioni-po-njihet-pa-kushtezim-nga-qeveria-kurti


Frashër Krasniqi nga Partia Socialdemokrate në një prononcim për Front Online ka thënë se marrëveshja e Ohrit e ajo e Brukselit i tejkalon ato të 2013 dhe 2015.

Sipas tij, marrëveshjet e Kurtit janë më të dëmshmet.

“Kurti nuk është thjeshtë duke i zbatuar disa marrëveshje të trashëguara. Kjo ngase marrëveshja e Brukselit dhe e Ohrit, dhe materializimi i tyre në draft-statutin e Asociacionit që tanimë e kemi parë, kanë elemente shumë më të dëmshme që i tejkalojnë edhe marrëveshjet 2013 dhe 2015 dhe edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, u shpreh ai.

Krasniqi thotë se njohja e Asociacionit pa kushtëzim është bërë nga Qeveria Kurti.

“Për herë të parë Asociacioni po jepet pa kushtëzimin për njohje, për herë të parë në preambula e Asociacionit pritet t’i referohet rezolutës 1244, për herë të parë parashihet organi i Arbitrazhit, që është organ mbi institucional dhe jashtë sovranitetit të shtetit të Kosovës – dhe kjo shtetin e Kosovës e shndërron në palë të barabartë me Asociacionin, për herë të parë Asociacioni parashihet të ketë Qendër Administrative që praktikisht nënkupton kryeqytet dhe për herë të parë Asociacionit i janë definuar edhe kufijtë territorialë – që praktikisht nënkupton edhe autonomi territoriale”, tha ai për Front Online.

Sipas Krasniqit, të gjitha këto elemente i janë shtuar Asociacionit nga Qeveria Kurti.

Për PSD-në, zgjidhje e vetme do të ishte ri përcaktimi i kufijve.

“Qeveria Kurti, duke e mbytur idenë e ripërcaktimit të kufijve – e cila është zgjidhja e vetme që siguron njohje dhe paqe të përhershme mes Kosovës dhe Serbisë – e ringjalli një Asociacion që është shumë më problematik se sa ai i marrëveshjeve të kaluara. Dhe krejt kjo, pa e marrë në këmbim njohjen dhe asnjë përfitim tjetër për Kosovën”, u shpreh ai.

Komento: