Krasniqi: Kurtin e kanë votuar edhe mësuesit, qeveria e ka obligim të gjejë zgjidhje

21:05 | 14 Shtator 2022

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka folur për shumë tema të cilat janë aktuale në politikë, një prej tyre duke qenë edhe greva në arsim.

Kryetari i PDK-së tha se është e padrejtë dhe e pasaktë se sindikatat janë nxitur nga opozita.

“Kurtin e kanë votuar të gjithë, edhe mësuesit. Ai e ka obligim ligjor e kushtetues të drejtojë qeverinë dhe ajo duhet të gjejë zgjidhje”, u shpreh Memli Krasniqi, duke shtuar se pagat kanë mbetur njësoj e çmimet janë rritur me 30%.

Krasniqi tha po ashtu se ka tendenca për ndarje bardhë e zi, që t’i ndajë mësimdhënësit me prindër.

“Nuk është se mësuesit janë vetëm profesionistë, por janë edhe prindër”.

Ai tha se këmbëngulja e SBASHK-ut, nuk duhet të mbetet, por të kërkohet një kompromis.

“Aq sa kam parë, këta kanë ofruar që të ketë lëvizje, por kryeministri ka thënë se asnjë cent nuk e jep më shumë”, u shpreh ai.

“Kjo ka degjeneruar me 50 euro e 70 euro. Janë këta mësimdhënës që nën kërcënimin e Serbisë, pa paga na kanë shkolluar ne”, rikujtoi kreu i PDK-së, sipas të cilit, nuk mund të degradohen mësimdhënësit deri në këtë shkallë. “Kërkesa e tyre është për dinjitet”.

Më tej, Krasniqi tha se tendenca e Kurtit që vetëm ai e ka mirë, rrezikon të rrëshqasë drejt autokracisë.

“Kurti refuzoi të takojë grevistët, se nuk takohem me Jasharajn sepse ata nuk janë niveli im. Kritika e tij ndaj medieve thuajse kërcënuese. Ashtu edhe ndaj sistemit të drejtësisë e po ashtu edhe ndaj opozitës”, tha Krasniqi, duke shpjeguar arrogancën, që sipas tij, e ka Kurti ndaj të tjerëve.

“Kjo nuk ka vend në një vend demokratik”.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, duke folur për grevën në arsim, tha se situata është për keqardhje. Ai tha se greva ka mundur të mos fillojë, sikur të kishte një qasje mirëkuptuese nga ana e kryeministrit dhe qeverisë.

Ai u shpreh se opozita është munduar të mos përfshihet në këtë situatë, sepse për sindikata, partneri kryesor është qeveria, për gjetjen e një zgjidhjeje. Krasniqi tha se megjithatë, PDK ka dhënë rrugëzgjidhje dhe se duhet një dialog social.

Ai tha se ka mirëpritur takimin e Këshillit Grevist dhe kryeministrit dhe ka besuar se do të gjendet zgjidhja.

“Por ishte dëshpëruese dhe për keqardhje për mos lëvizje as milimetrike nga kryeministri”, tha Krasniqi në RTK Prime.

Kreu i PDK-së u shpreh se rruga normale do të duhej të ishte hiqja e arrogancës nga kryeministri.

“Pra të kërkohej mirëkuptim nga sindikalistët, e jo merre ose leje. E kam bërë këtë pako, merre ose lere. Kjo nuk është rrugë e drejtë”.

Ai u shpreh se Kurti është kryeministër i të gjithëve.

“Mësimdhënësit nuk i kanë hyrë grevës se nuk kanë çfarë të bëjnë, por sepse po ballafaqohen me barrën e vështirë të lidhjes së muajit me muaj sepse është inflacion i tmerrshëm”, tha Krasniqi.

Komento: