Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka mirëpritur në parti Gjeneralin Xhevahir Geci, njoftojnë nga kjo parti.
Duke vlerësuar lartë kontributin e Gecit për Kosovën para, gjatë dhe pas luftës, Krasniqi bëhet e ditur se njoftoi që ai do të jetë kandidat për deputet nga radhët e PDK-së në zgjedhjet e 9 shkurtit.
“Si epror në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, e më vonë si gjeneral brigade në Forcën e Sigurisë së Kosovës, ai ka shërbyer me guxim, lidership e vizion. Vlerat e tij personale dhe përvoja e tij profesionale, e bëjnë Gjeneral Gecin një aset të çmuar për ekipin tonë, në misionin për të ndërtuar një Kosovë më të mirë. Prandaj, është nder dhe kënaqësi e madhe ta kemi në listën tonë të kandidatëve për deputetë. Mirë se vjen, Gjeneral”, tha lideri i PDK-së.
Ndërkaq, Geci deklaroi se po i bashkohet PDK-së për të shërbyer në fuqizimin e institucioneve dhe mbrojtjen e shtetit të Kosovës.
“Gjatë rrugëtimit tim jetësor, kam pasur nderin t’i shërbej Kosovës në vijën e parë. Fillimisht në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, e më pas edhe si gjeneral brigade në Forcën e Sigurisë së Kosovës. Në secilin rol, kam mësuar se lidershipi i vërtetë nuk është vetëm guxim. Por përkushtim, vizion, dhe një angazhim i përhershëm për popullin dhe vendin tënd. Pas lirisë dhe pavarësisë, tani dua të ndihmoj në sigurimin e së ardhmes së Kosovës”, është shprehur Geci, thuhet në njoftim të PDK-së.