Lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka reaguar pas deklarimit se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është dakorduar për propozimin evropian, i cili përfshin edhe marrëveshjet e Brukselit.
Krasniqi tha se tashmë dihet se propozimi evropian nuk e parasheh njohjen e ndërsjellë, njohjen nga pesë shtetet skeptike të BE-së, e as s’ia hap Kosovës rrugët për t’u anëtarësuar në strukturat euroatlantike.
Sipas liderit opozitar, tani në qendër është themelimi i Asociacionit, akt ky që, sipas tij, Kurti e bëri shkaku i ambicieve të tij për pushtet.
“Duke e injoruar çdo ndihmë e këshillë që ka ardhur nga ne, kokë në vete dhe në kundërshtim me interesat afatgjate të Republikës së Kosovës, Kryeministri Kurti, përmes veprimeve dhe politikave të gabuara, degradoi pakthyeshëm procesin e dialogut. Rrjedhimisht, ai mundësoi heqjen e marrëveshjes finale me njohjen e ndërsjellë në qendër dhe i solli vendit një marrëveshje të përkohshme me asociacionin në qendër”, reagoi Krasniqi në Facebook.
Reagimi i plotë:
Ajo që kishim paralajmëruar edhe ndodhi. Kushtet dhe qëndrimet u shkrinë para interesave personale dhe ambicieve për pushtet të Kryeministrit Kurti. Kosova humbi njohjen dhe fitoi asociacionin.
Duhet thënë zëshëm dhe qartë: tashmë është edhe zyrtarisht evidente se propozimi evropian nuk parasheh njohjen e ndërsjellë, si kriter kryesor për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe hapjen e perspektivës evropiane për shtetit tonë.
Aty nuk flitet për njohjen nga pesë vendet mos-njohëse të BE, nuk flitet për hapjen e rrugës drejt anëtarësimit në NATO, as për marrjen e statusit kandidat për anëtarësim në BE.
Për dy vjet me radhë, ne e kemi mbështetur Kryeministrin Kurti në raport me Serbinë. E kemi inkurajuar që të koordinohet me aleatët tanë ndërkombëtarë dhe i kemi ofruar edhe propozime konkrete në lidhje me marrëveshjen finale me njohjen e ndërsjellë në qendër.
Duke e injoruar çdo ndihmë e këshillë që ka ardhur nga ne, kokë në vete dhe në kundërshtim me interesat afatgjate të Republikës së Kosovës, Kryeministri Kurti, përmes veprimeve dhe politikave të gabuara, degradoi pakthyeshëm procesin e dialogut. Rrjedhimisht, ai mundësoi heqjen e marrëveshjes finale me njohjen e ndërsjellë në qendër dhe i solli vendit një marrëveshje të përkohshme me asociacionin në qendër.
Krahas rritjes enorme të emigrimit si pasojë e keqqeverisjes, Kryeministri Kurti sonte tkurri edhe sovranitetin e shtetit tonë.
Prandaj, 27 shkurti i vitit 2023, për Kosovën, me Kryeministër Albin Kurtin, shënon një mundësi të humbur për shtetin tonë që ta përmbyllë përgjithmonë konfliktin e ngrirë me Serbinë.