Krasniqi nga ShBA-ja: Asociacioni të jetë pjesë e marrëveshjes së përgjithshme

22:28 | 01 Shkurt 2023

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka deklaruar se, nëse do bëhet, Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të themelohet në kuadër të marrëveshjes së përgjithshme në dialog me Serbinë, me njohjen reciproke në qendër.

Krasniqi tha se PDK gjithmonë ka pasur qëndrim konsistent në raport me dialogun Kosovë-Serbi, derisa ky qendrim shtoi se konsiston nga pesë pika bazë.

“Ne besojmë që si shtylla qëndrore të një marrëveshjeje finale, ligjërisht dhe ndërkombëtarisht obligative për Kosovën dhe Serbinë, duhet të jetë para së gjithash, ruajtja e karakterit unitar të Republikës së Kosovës, në kuadër të rregullimit aktual kushtetues, më pas njohja nga pesë shtetet anëtare të BE-së, që nuk e kanë njohur Kosovën. Si pikë e tretë, fillimi i procesit të anëtarësimit në NATO në partneritetin për paqe, si hap të parë dhe katër, marrja e statusit të shtetit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe padyshim e pesta, si më e rëndësishmja njohja e ndërsjellë”, deklaroi Krasniqi në një intervistë për Zërin e Amerikës.

Sipas liderit opozitar, një marrëveshje pa njohje reciproke nuk ofron stabilitet për Kosovën.

Ndër të tjera, Memli Krasniqi kritikoi kryeministrin Kurti për raportet e tij me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për të, Kurti ka një kauzë false në raport me themelimin e Asociacionit, e cila filloi sa ishte në opozitë.

Komento: