Krasniqi pas vendimit për Salih Mustafën: Dënim i rëndë që nxitë indinjatë tek secili shqiptar

14:02 | 16 December 2022

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka reaguar pas dënimit të Salih Mustafës, të cilit Gjykata Speciale i shqiptoi 26 vjet burgim, duke thënë se ky është dënim i rëndë “që nxitë indinjatë tek secili shqiptar”.

Krasniqi ka thënë se shpreson që ky vendim do të korrigjiohet në shkallën e dytë, derisa ka thënë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës është dhe do të mbetet gjithmonë krenari kombëtare.

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës është dhe do të mbetet gjithmonë krenaria jonë kombëtare. Pjesë qendrore e kësaj historie krenare, të cilën nuk mund ta ndryshojë asnjëherë askush, janë çlirimtarët që po mbahen në Gjykatën Speciale pa të drejtë.

Dënimi i sotëm Salih Mustafës, i tillë si u kumtua, është dënim i rëndë që nxitë indinjatë tek secili shqiptar. Ky vendim i sotëm, shpresojmë se do të korrigjohet në shkallën e dytë, për të dëshmuar seriozitetin dhe paanshmërinë e Gjykatës. Drejtësisë i kemi besuar gjithmonë dhe drejtësia, pashmangshëm, herëdokur, duhet dhe do ta gjejë rrugën e vet të vërtetë”, ka shkruar Krasniqi.

Ndryshe, Gjykata Speciale e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me 26 vjet burg ish-pjesëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafën.

Ai është shpallur fajtor për veprat: vrasje e paligjshme, torturë dhe ndalim arbitrar.

Ky është aktvendimi i parë i këtij institucioni lidhur me hetimet për krime lufte në Kosovë.

Në përmbledhje të aktgjykimit, Kryegjakatësja Mappie Veldt-Foglia ka thënë se dëshmitë e dëshmitarëve kanë qenë të qarta, koherente dhe përputhëse.

“Dëshmitë e kanë konfirmuar njëra-tjetrën”, ka thënë ajo.

Komento: