Krasniqi: Pranimi i planit franko-gjerman nga Kurti, marrëveshje e fshehtë

19:02 | 06 Shkurt 2023

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka reaguar pas deklaratës së kryeministrit Albin Kurti, se e ka pranuar propozimin franko-gjerman.

Ai ka thënë se kryeministri Kurti e ka pranuar këtë propozim pa treguar asnjëherë për qytetarët se çka përmban ai propozim.

”Ai i dha drejtim një marrëveshjeje në fshehtësi, pa asnjë transparencë, duke lënë shumë pyetje pa përgjigje të cilat i brengosin qytetarët tanë. Ku mbetën kushtet e tij? Cilat prej tyre u plotësuan e cilat jo? A janë përfshirë në këtë plan edhe kushtet e Serbisë? A është në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe a është pjesë e saj edhe themelimi i Asociacionit? Mbi të gjitha, a e përfshinë kjo marrëveshje njohjen e ndërsjellë?”, ka thënë Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.

Në fund ai shtoi se PDK i ka bërë të qarta kohë më parë pesë shtyllat që i presin nga marrëveshja potenciale me Serbinë.

“Gjithçka më pak është humbje e madhe për Kosovën, për të cilën, përgjegjës i vetëm do të jetë Albin Kurti”, ka thënë Krasniqi.

Ndryshe kryeministri i vendit Albin Kurti deklaroi sot se Kosova e pranon propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë si dhe e konsideron atë si një bazë të mirë për diskutime të mëtejshme dhe një platformë solide për të ecur përpara.

Megjithatë, Kurti tha se në lidhje me këtë plan do t’i parashtrojë disa pyetje gjatë bisedimeve që zhvillohen në Bruksel.

“Shkëmbim i mirë me të dërguarin special të BE-së, Miroslav Lajçak gjatë një drekë pune në Prishtinë. Ne e pranojmë propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe e konsiderojmë atë një bazë të mirë për diskutime të mëtejshme dhe një platformë solide për të ecur përpara”,theksoi Kurti.

Komento: