Lideri i PDK’së, Memli Krasniqi ka reaguar pas zhvillimeve të fundit që ndodhën në veri të vendit, duke thënë se kryeministri Albin Kurti po heshtë për situatën në veri.
Krasniqi përmes një postimi në Facebook tha se Serbia nuk duhet të kalojë në veriun e Kosovës!
“Serbia nuk duhet të kalojë në veriun e Kosovës! Institucionet e shtetit sot janë sulmuar në komunat e veriut. Kandidatët tanë janë kërcënuar. Serbia po tenton ta destabilizojë Kosovën, ndërsa Kryeministri i vendit, që na flet për zhvillime prej Ukrainës e deri në Kinë, po heshtë për situatën në veri. Fol Kryeministër!”.
Kujtojmë se nga Policia e Kosovës kanë treguar se sot më datë 6 dhjetor 2022, në komunat Zubin Potok dhe Mitrovicë Veri, njësitë policore të rendit publik kanë shoqëruar zyrtarët e Komisionit Komunal zgjedhor në zyrat e komisionit komunal zgjedhor, të cilat ndodhen në komunat Zubin Potok e Mitrovicë Veri me qellim të kryerjes së detyrave dhe kompetencave të tyre ligjore.
Siç thuhet në komunikatën e PK-së, në disa zona në Zubin Potok dhe në Veri të Mitrovicës janë regjistruar disa incidente, e që sipas policisë dyshohet të jenë shkrepje armësh dhe shpërthime.