Krasniqi tha se nuk ka vija të kuqe për PDK-në, Sherifi reagon ndaj kësaj deklarate

18:09 | 07 August 2019

Sherifi ka reaguar ndaj deklaratave të fundit të Jakup Krasniqit.

Jakup Krasniqi çuditi të gjithë kur tha se nuk ka vija të kuqe për PDK-në e se për këta të fundit ka disa kushte, nëse duan që të shkojnë në koalicion parazgjedhor.

Por, si duket strukturat e Nismës nuk do të miratojnë një qëndrim të tillë, ani pse Krasniqi atë e tha edhe para tyre.

Sekretari i kësaj partie Bilall Sherifi ka thënë se në terren degët po kërkojnë që në zgjedhje të kandidojnë të vetëm.

Ai ka shtuar se deri më tani kanë marrë oferta për koalicion nga të gjitha partitë.

Kur vendosën që të bëhen pjesë e koalicionit me AAK-në e PDK-në, Nisma Socialdemokrate e udhëhequr nga Fatmir Limaj kërkoi në këmbim tre ministri në rast se zgjedhjet fitoheshin, e që vetë lideri të emërohej në pozitën e zëvendëskryeministrit.

Kështu edhe ndodhi, kur koalicioni PAN, fitoi shumicën, e edhe pas bashkimit me AKR-në në Qeverisje, Nisma i gëzoi privilegjet që i kërkoi qysh para se të hynin së bashku në këtë proces.

Fatmir Limaj u emërua zëvendëskryeministër, Ministrinë e Arsimit e mori Shyqiri Bytyqi, Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë fillimisht Bajram Hasani e më vonë Endrit Shala, derisa në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies sociale u emërua Skënder Reçica.

Nisma ndërkaq mori 7 deputetë, nga të cilët më vonë do të pavarësohej Milaim Zeka që krijoi edhe partinë e tij.

Nisma Socialdemokrate, nuk e mohoi për një kohë të gjatë se do të mund të jepnin votat e tyre pro rrëzimit të qeverisë Haradinaj. Megjithatë ky skenar nuk ndodhi pasi që Ramush Haradinaj dha dorëheqje vetë nga posti pasi që u thirr për të dëshmuar në Hagë në cilësinë e dëshmitarit.

Tash kur zgjedhjet e jashtëzakonshme janë afër, partia e udhëhequr nga Fatmir Limaj ka dalë me një qëndrim interesant.

Derisa gati të gjitha partitë politike po vendosin vija të kuqe për PDK-në, kryetari i Këshillit kombëtar i Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi, në një shkrim në llogarinë e tij në Facebook ka treguar disa kushte që sipas tij do të duhej të plotësonte PDK-ja apo ndonjë parti tjetër nëse duan koalicion me subjektin e tij.

Krasniqi tha se nuk kanë vija të kuqe për asnjë nga partitë sepse sipas tij kjo është treguar si një praktikë joserioze deri më sot, derisa tregoi edhe gjashtë kushtet e tij.

“Pra nëse PDK do të pranonte ketë ofertë, unë do t’i propozoja Këshillit Kombëtar të NISMËS Socialdemokrate të hynte në koalicion parazgjedhor me të. Pa një ofertë të tillë publike nga PDK apo ndonjë parti tjetër, unë jo vetëm që nuk do t’i sugjeroja KK të NISMËS Socialdemokrate koalicion e mundshëm, por do ta kundërshtoja fuqishëm”, ka shkruar ai.

Sherifi po thotë se ka disa ditë që po del në terren për të parë disponimin e strukutrave të partisë së tij për koalicionet e për qëndrimin e Nismës në zgjedhje. Megjithatë, ai shprehet se gjithmonë po has në të njëjtën kërkesë, që të dilet vetë në zgjedhje.

“Si sekretari i partisë, ka disa ditë që po dal në terren e po e shoh që kërkesa unanime është që me dal vetë, rreth 90 për qind kërkojnë që me dal vetë. Deri tash kemi vizitu 11 degë te të gjitha e kanë këtë kërkesë. Debati jonë i brendshëm se si duhet të ecim përpara gjithsesi se duhet ta ketë parasysh kërkesën e degëve.

Besoj që kryesia ka me dal në vendim shumë shpejt”, thotë Sherifi.

Tutje, ai duke përmendur deklaratën e Krasniqit për koalicionin me PDK-në e se po thotë se kjo po bëhet në kuadër të debatit të brendshëm karshi ofertave që po ju vijnë nga partitë politike.

Sipas tij, deri më tani kryetari Limaj ka marrë ofertë nga të gjitha partitë për koalicion parazgjedhor përfshirë këtu edhe për PDK-në por, që shton se s’kanë vendim për këtë deri më tani.

“Në kuadër të debatit z.Krasniqi ka shprehë një qëndrim të mundshëm për ofertat që po vijnë nga partitë politike se si do të duhet t’ qasemi.

Kryetari Limaj është i mandatuar me bisedu me partitë dhe ju e keni pa se edhe publikisht ka thënë se ka kërkesa për të biseduar me të gjitha partitë politike për të parë mundësinë për koalicione parazgjedhore po kjo çështje i takon strukturave, ka shumë figura Nisma që do ta provojnë vetën t’i hyjnë garën, çdo koalicion do të mund të shkurtonte listën.

10 deputetë po është e mundur të tejkalohet do t’i kemi në këto zgjedhje”, shton ai, duke thënë se këtë qëndrim ai e ka shprehur edhe në parti.

“Krasniqi ka pas një mendim të tijin që e ka shfaqë edhe në takime po edhe në publik, po në fund kryesia e partisë e merr këtë vendim”, deklaroi sekretari i Nismës.

“Limaj është në bisedime me të gjitha partitë politike”, tha tutje.

Sherifi ka komentuar edhe sondazhin e institutit slloven IFIMES për zgjedhjet në Kosovë.

Sipas këtij sondazhi Nisma është subjekti i pestë që mund të hyjë në parlamentin e ri të Kosovës.

“Unë nuk komentoj sondazhet që si kam pa e kam marrë në informatë nga mediat, nuk kam parë na instituti unë kam pa raporte mediale që i referohen institutin pa e pa hulumtimin nuk mund të them kurgjo, ajo se çka e pash është se edhe ky studim konstaton se është në të pestë që hyjnë në kuvend, derisa unë them se do të jenë 10 deputetë të Nismës që hyjnë mandatin e ardhshëm”, përfundoi Sherifi.

Kreu i Nismës Socialdemokratike Fatmir Limaj ka deklaruar një ditë më parë se partia në të cilën ai udhëheq ka oferta nga të gjitha partitë për koalicione.

Komento: