Krasniqi thirrje Qeverisë që t’i përkrahë fermerët: S’duhet të lihen të vetmuar në përballimin e krizës ekonomike

20:55 | 20 July 2022

Kryetari i PDK’së, Memli Krasniqi, ka thënë se fermerët nuk duhet të lihen të vetmuar në përballimin e krizës ekonomike. Madje, thotë se mbështetja ndaj prodhuesve vendorë duhet të jetë prioritet dhe përkushtim ditor i Qeverisë.

Këto deklarata, Krasniqi i ka bërë pas një vizite në Rahovec, ku është takuar me fermerët e kësaj ane.

“Gjatë vizitës në vreshtën e Selami Shehut, bashkë me kryetarin e shoqatës së vreshtarëve në Rahovec, Hamid Makshana, pashë një përkushtim të jashtëzakonshëm. Kjo punë dëshmon më së miri për vullnetin dhe shkathtësitë e fermerëve kosovarë, të cilët në mënyrë individuale arrijnë të bëjnë gjëra të mrekullueshme, përkundër sfidave të ndryshme me të cilat përballen.

Të njëjtën gjë e kanë bërë edhe Rrahim Popaj e Sabit Kadiri nga fshati Fortesë i Rahovecit në kultivimin e specave, patateve, qepëve e shumë kulturave të tjera bujqësore. Arat e punuara nga ta dhe familjet e tyre janë shembull i punës e përkushtimit të jashtëzakonshëm”, ka shkruar Krasniqi.

Postimi i tij i plotë:

Përtej sfidave dhe mungesës së mbështetjes nga Qeveria në këtë periudhë të krizës ekonomike, vreshtarët e Komunës së Rahovecit ia kanë dalë që edhe këtë vit të kultivojnë rrush të një cilësie të jashtëzakonshme.

Gjatë vizitës në vreshtën e Selami Shehut, bashkë me kryetarin e shoqatës së vreshtarëve në Rahovec, Hamid Makshana, pashë një përkushtim të jashtëzakonshëm. Kjo punë dëshmon më së miri për vullnetin dhe shkathtësitë e fermerëve kosovarë, të cilët në mënyrë individuale arrijnë të bëjnë gjëra të mrekullueshme, përkundër sfidave të ndryshme me të cilat përballen.

Të njëjtën gjë e kanë bërë edhe Rrahim Popaj e Sabit Kadiri nga fshati Fortesë i Rahovecit në kultivimin e specave, patateve, qepëve e shumë kulturave të tjera bujqësore. Arat e punuara nga ta dhe familjet e tyre janë shembull i punës e përkushtimit të jashtëzakonshëm.

Megjithatë, këtë vit, si pasojë e krizës ekonomike dhe në mungesë të mbështetjes, fermerët nuk e kanë të sigurt tregun dhe çmimin e produkteve të tyre.

Në këtë situatë janë me mijëra fermerë të ndershëm në tërë Kosovën.

Fermerët nuk duhet të lihen të vetmuar në përballimin e krizës ekonomike. Përkundrazi, mbështetja ndaj prodhuesve vendorë duhet të jetë prioritet dhe përkushtim ditor i Qeverisë.

Komento: