Krasniqi thotë se s’ka ndryshuar qëndrimi për Asociacionin: Kosovës s’i duhen instrumente njëetnike

12:11 | 10 Janar 2024
krasniqi-thote-se-s’ka-ndryshuar-qendrimi-per-asociacionin:-kosoves-s’i-duhen-instrumente-njeetnike

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi tha se Kosova nuk ka nevojë për “instrumente njëetnike”, pasi u pyet nëse vendimi i Serbisë për njohjen e targave RKS erdhi pas një gatishmërie të shprehur nga Kosova për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Krasniqi tha se “”qëndrimi për Asociacionin tashmë është i njohur”.

“Tash këtë e them edhe si përfaqësues politik i një komuniteti që jeton në Kosovë, që Kosovës nuk i duhen instrumente të cilat janë njëetnike dhe të cilat janë, të them ashtu, instrumente shtesë për shantazhimin e institucioneve”, tha ai.

“Neve na duhen instrumente të cilat janë gjithëpërfshirëse, në frymën e Republikës së Kosovës”, shtoi Krasniqi.

Ai tha se opozita “kritikon vend e pavend”, ndërsa tha se është lajm i mirë që veturat me targa të Kosovës tashmë qarkullojnë lirshëm nëpër Serbi.

“Sidoqoftë, vendimi i Serbisë për këtë, ka qenë përpjekje e saj për të ulë presionin ndërkombëtar për situatën e zgjedhjeve dhe parregullsive në zgjedhjet e fundit në Serbi”, tha ministri.

 

Komento: