Krasniqi tregon se ҫfarë duhet të bëjmë, nëse Amerika kërkon heqjen e taksës

23:04 | 16 Janar 2019

Muaj më parë, Qeveria e Kosovës vendosi taksën prej 100% për produktet serbe.

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka folur për kërkesën e Shteteve të Bashkuara ndaj Qeverisë së Kosovës, për heqjen e taksës prej 100 për qind ndaj mallrave nga Serbia.

Krasniqi ka vlerësuar se nëse Amerika i kërkon Kosovës ta heqë taksën, atëherë një kërkesë e tillë duhet të shqyrtohet seriozisht.

“Nëse marrim një kërkesë, qoftë edhe ultimatum, nga partnerët tonë, duhet ta shqyrtojmë, në kuptimin e partneritetit”, është shprehur Krasniqi. “Por, s’do të thotë se duhet të hiqet”, ka shtuar ai në emisionin “Pressing”.

Krasniqi ka deklaruar se beson se kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, “ka plan se si duhet ecur përpara sa i përket kësaj çështjeje”.

Ai ka thënë po ashtu se “taksa është në fuqi. Dhe, taksa si e tillë vazhdon ta ketë efektin e vet”.

“Është jashtëzakonisht inkurajuese që ka pasur mbështetje pothuajse 100 për qind”, ka shtuar ai.

Taksa ndaj Serbisë, sipas Krasniqit, është “mesazh politik, që tregon se Kosova është shtet sovran, dhe merr vendime pavarësisht qëndrimeve të tyre”.

Krasniqi ka thënë se Serbia ka luftuar sovranitetin e Kosovës dhe është përpjekur të bindë shtete të ndryshme të çnjohin Kosovën, prandaj, sipas tij, “reagimi i Kosovës ka qenë i drejtë”.

Komento: