Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi është pritur sot për një takim në Uashington nga udhëheqësit e Korporatës Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC), me të cilët ka diskutuar lidhur me programin e saj të investimeve në Kosovë.
Krasniqi ka thënë se si rezultat i investimeve të kësaj korporate, edhe lagjja ku banon në Prishtinë, ka marrë pamje të re.
“Sot, në Washington DC, u takova edhe me udhëheqësit e Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), për të diskutuar mbarëvajtjen e programeve investive të kësaj organizate në Kosovë. Shpreha falënderimin e thellë për investimet e deritashme nga programi Threshold, veçanërisht ato që ishin të fokusuara në efiçencë. Edhe lagjja ime e fëmijërisë Ulpiana sot ka marrë një pamje të re falë MCC-së”, ka shkruar ai.
Ai ka thënë se PDK do të përkrah plotësisht proceset e programit të ardhshëm Compact.
“Por është për keqardhje që Kosova ka mbyllur derën për investimet shumë të nevojshme përmes MCC në infrastrukturën e gazit dhe në prodhim të rrymës përmes gazit. Kosova ka nevojë për strategji afatgjate për sektorin e energjisë dhe çdo vonesë në hartimin dhe zbatimin e saj shkakton vonesa në adresimin e krizës energjetike dhe në sigurinë e furnizimit – faturën e rritur të së cilës do ta paguajnë qytetarët”, ka thënë ai.