Krasniqi viziton Thaçin e Veselin në Hagë: Çdo ditë e më tepër jemi të sigurt se dielli do të lind përsëri

18:08 | 17 November 2024
krasniqi-viziton-thacin-e-veselin-ne-hage:-cdo-dite-e-me-teper-jemi-te-sigurt-se-dielli-do-te-lind-perseri

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka vizituar sot në Hagë, Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin.

Krasniqi thotë se forca dhe dinjiteti i tyre përballë vështirësive janë dëshmi e vlerave për të cilat populli ka luftuar.

“Qëndrueshmëria e tyre në Hagë na frymëzon të gjithëve që të vazhdojmë përpara misionin e tyre: të ndërtojmë një Kosovë më të fortë, më të zhvilluar dhe më të mirë”, ka shkruar Krasniqi.

Postimi i tij:

Hagë: Një takim me heronjtë tanë

Sot, në ditën kur shënojmë 30 vjetorin e themelimit zyrtar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – lëvizjes më të suksesshme popullore për lirinë dhe pavarësinë tonë — fati e deshi që të jem në Hagë, duke vizituar dy nga simbolet më të ndritura të luftës sonë për çlirim e pavarësi, Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin.

Këta udhëheqës, krahas patriotëve të panumërt, sakrifikuan gjithçka që Kosova të merrte frymë lirie. Me të njëjtin zjarr në shpirt, ata sot qëndrojnë të palëkundur duke mbajtur peshën e historisë dhe shpresat e shtetit tonë. Duke mbrojtur luftën e popullit tonë për liri.

Forca dhe dinjiteti i tyre përballë vështirësive janë dëshmi e vlerave për të cilat kemi luftuar si popull dhe qëndrueshmëria e tyre në Hagë na frymëzon të gjithëve që të vazhdojmë përpara misionin e tyre: të ndërtojmë një Kosovë më të fortë, më të zhvilluar dhe më të mirë.

Në këtë ditë të veçantë, kur kujtojmë UÇK-në dhe të gjithë ata që bënë sakrificat më të mëdha për lirinë tonë, qëndrojmë pranë Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit dhe çdo patrioti që barti flakën e luftës çlirimtare.

Tashmë, çdo ditë e më tepër, jemi të sigurt se: Dielli do të lind përsëri!

Komento: