Krejt çka dihet për vrasjen tmerruese në Prizren ku i përfshirë është Kobra

18:13 | 03 January 2023

Gjatë natës së 2 janarit, dy shtetas shqiptarë u transportuan në spitalin e Kukësit, nga një person tjetër. V.C dhe R.SH kishin mbetur të plagosur me armë zjarri në Prizren, ku ky i pari, do të ndërronte jetë. I dyshuar për këtë ngjarje, po dyshohet të jetë Dibran Hoxhaj nga Kosova, i njohur me nofkën “Kobra”. Çka dihet deri më tani rreth kësaj ngjarje tmerruese?

Policia e Shqipërisë, përmes një njoftimi për media, bëri të ditur se ngjarja dyshohet se ka ndodhur në dalje të Prizrenit dhe se konflikti, kishte nisur në një lokal nate.

“Në momentin që shtetasit V.C., R.Sh dhe A.B, po largoheshin me automjet, dyshohet se shtetasi D. H, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit të tyre. Në lidhje me ngjarjen është komunikuar me Policinë kosovare dhe vijon shkëmbimi i informacionit.” – thuhej në njoftim.

Çka mësuam më pas?

Grupi hetimor nga Shqipëria, ia la në dorë Policisë së Kosovës veprimet procedurale të tjera, për zbardhjen e plotë të rastit.

Sipas burimeve të portalit Sinjali, në pyetje kishin qenë 400 euro të papaguara nga ana e tre qytetarëve nga Shqipëria. Kur iu kishte ardhur kjo faturë, qytetarët shqiptarë ishin zemëruar aq shumë sa kishin nisur të gjuanin me shishe e të thyenin tavolinat.

Policia e Kosovës arrestoi Dibran Hoxhën, i njohur në pulbik si “Kobra”, njëherit, i dyshuar për vrasjen e 31 vjeçarit nga Shqipëria, Visart Cengu, dhe plagosjen e një tjetri.

“Në mesin e personave që po intervistohen është edhe pronari i lokalit. Po intervistohen rreth 5 persona, deri më tani nuk ka ndalim për ta.” – tha togeri Shaqir Bytyqi.

Ndërkohë, më pas, Prokuroria mori vendim që të njëjtit të dërgohen 48 orë në mbajtje.

“Me urdhër të prokurorit është marrë vendim që të gjashtë të dyshuarit të dërgohen në mbajtje prej 48-orëve.” – i tha Nacionales togeri i policisë Shaqir Bytyqi.

Avokati i Hoxhajt, Nexhat Elshani, pak më herët i ka thënë gazetës Nacionale se klienti i tij po akuzohet për tri vepra penale, ndër to edhe vrasje.

“I ka disa vepra, saktësisht tri vepra. Për vrasje, armë mbajtje si dhe për shkaktim të rrezikut. Pesë janë të dyshuar. Unë e kam marrë tashmë vendimin për ndalimin 48 orësh.” – ka deklaruar Elshani.

Nacionale e ka pyetur avokatin Elshani, nëse “Kobra” e ka thënë fjalën e tij për rastin, por avokati ka treguar se ai ka vendosur të mbrohet në heshtje.

“Është mbrojtë në heshtje. Nuk ka folë, nuk e pranon veprën.” – ka thënë tutje avokati.

Gjatë periudhës 48 orëshe pritet që gjykata të vendosë, nëse të akuzuarit do të shkojnë në paraburgim ose jo.

Avokati Elshani, ka thënë se pret që nesër të ketë veprime në këtë drejtim.

Kush është “Kobra”?

Në një episod të Prive, ai prezantohej “dikush e njeh për të mirë e shumëkush edhe për të keq”. “Kobra” shihet duke dalë nga shtëpia me një stil që supozohet të jetë glamuroz, derisa është i rrethuar nga disa persona e vetura luksoze.

Derisa elaboron në “karrierën e tij të gjatë prej problematiku”, Hoxhaj shprehet: “Njerëzit flasin gjithçka, është e drejta e tyne, por këto gjana (që është problematik) janë të vërteta. Mirëpo, i kanë ekzagjëru aq shumë sa s’po muj me besu që a jom edhe unë ai person për të cilin po flasim”.

Përndryshe, ai është pronar i lokalit “Kobra City” në Prizren – ku raportohet se filloi sherri që përfundoi me tragjedi. I njëjti vend ku kishte fituar famë edhe kërcimtarja, sensacion për një kohë në rrjetet sociale, “Kallashi”.

“Kobra” karakterizohet me një stil jetese luksi, ashtu siç e portretizon vazhdimisht veten në paraqitjet e tij publike, ndërsa pothuajse gjithmonë bartë në qafë një zinxhir të trashë të lidhur për një katrori të gjatë që duket të jetë goxha i rëndë.

Në paraqitjet e tij në TikTok, ai vazhdimisht shfaqet si person i përcjellur nga një grumbull personash tjerë, derisa zakonisht pamjet kapin atë duke dalë apo duke u futur në ndonjë lokal, ku kryesisht përfshihet edhe futja apo dalja nga veturat, shkruan nacionale.

Përndryshe, ai thotë se ka kryer 198 vepra penale (të dhënat zyrtare nga policia thonë se ka 16 vepra penale), për të cilat pytetet në një paraqitje në “Top Channel” nëse është penduar.

“Normal që jom pendu dhe i sugjeroj gjithë rinisë të mos zgjedhin këtë rrugë. Është jetë e vështirë dhe jo të gjithë e kanë këtë fat që ta mbijetojnë. Një në njëqind raste mund të jem unë. Se ata që e kanë zgjedhë mund edhe të mos ekzistojnë, janë të ndjerë.” – thotë ai.

Komento: