Krejt çka duhet te dini për Florent Hadergjonaj

18:07 | 09 Maj 2019

Kosova është përforcuar me një talent të ri.

Florent Hadërgjonaj, nga qershori, do ta veshë fanellën e Kombëtares së Kosovës. 24-vjeçari, ka luajtur ne Zvicër, Gjermani dhe së fundmi Angli. Ai numëron 159 paraqitje në karrierë si profesionist dhe ka shënuar një gol.

24-vjeçari, Florent Hadërgjonaj, më në fund ka vendosur që t’i bashkohet ekipit të Kosovës, pasi nuk arriti të zë vend në Përfaqësuesen e Zvicrës, raporton Gazeta Express.

Hadërgjonaj do të nisë rrugëtimin me “Dardanët” në ndeshjet e qershorit, për kualifikimet në ‘Euro 2020’ ndaj Malit të Zi dhe Bullgarisë.

Por, kush është Florent Hadërgjonaj?

Talenti 24-vjeçar e ka nisur rrugëtimin për t’u bërë futbollist profesionit te FC Langnau.

Hapat e rëndësishëm i mori në FC Thun, ku qëndroi nga viti 2007 deri më 2010, për t’u transferuar te FC Luzern. Në Luzern, ai qëndroi vetëm një sezon, për të kaluar te Young Boys, aty ku shkëlqeu me të rinjtë nga viti 2011 deri më 2013, për të kaluar në ekipin e parë, ku luajti më pas për tri sezone në Superligën e Zvicrës dhe bëri afër 100 paraqitje.

Nga Young Boys, Hadërgjonaj u transferua te Ingolstadt në Bundesliga, ku qëndroi për një sezon.

Në vitin 2017, ai u huazua të Huddersfield Toën në Premierligë, klub që e bleu më pas (2018) kartonin e shqiptarit dhe edhe sot vazhdon ta mbrojë fanellën e anglezëve.

Florent Hadërgjonaj aktivizohet si mbrojtës i djathtë te klubi anglez, por kohë pas kohe edhe si mesfushor.

Në sezonin 2018/19, ai ka bërë 12 paraqitje si mbrojtës i djathtë, 8 si mesfushor i djathtë, dy mesfushor defensivë dhe një më i avancuar. Po ashtu një herë është paraqitur edhe si mesfushor i majtë.

Hadërgjonaj ka qenë pjesë edhe e grupmoshave të reja të Përfaqësueses së Zvicrës U-20 dhe U-21.

Ai, një ndeshje e ka luajtur edhe me Zvicrën A, por ai takim ka qenë i karakterit miqësor dhe kështu, pasi trajneri, Vladimir Petković, nuk e përdori atë në ndeshje zyrtare dhe e la edhe jashtë Botërorit të Rusisë, Hadërgjonaj kishte shansin për t’iu bashkuar Kosovës dhe në fund e shfrytëzoi këtë mundësi.

24-vjeçari, i cili numëron 159 paraqitje në karrierë si profesionist dhe ka shënuar një gol, pritet të debutojë me Kosovën në qershor.

Ai do të luftojë për një vend te Kombëtarja e Kosovës me futbollistin që gjithmonë ka lënë gjurmë, sa herë e ka veshur fanellën e “Dardanëve”, Mërgim Vojvoda.

Kujtojmë se sezonin 2019/20, Huddersfield Toën s’do të bëjë gara në Premierligë – ka rënë në Championship dhe mbetet të shihet nëse mbrojtësi më i ri i Kosovës do të ndërrojë skuadër.

Komento: