Krejt çka ndodhi mbrëmë te barnatorja “Riga” në Ferizaj: Vajza kërkoi ndihmë, i riu e qëlloi dhe më pas vrau veten

10:15 | 11 Prill 2026
te-shtena-me-arme-ne-ferizaj,-plagosen-dy-persona

Një incident i rëndë me armë zjarri ka ndodhur mbrëmjen e së premtes në Ferizaj, ku një vajzë është plagosur, ndërsa i dyshuari më pas ka qëlluar veten dhe ka ndërruar jetë.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 22:00 në rrugën “Driton Islami”, te barnatorja “Riga”.

Sipas informacioneve, viktima, L. U, një vajzë 24 vjeçare nga fshati Jezerc, kishte hyrë në barnatore në gjendje të shqetësuar dhe kishte kërkuar ndihmë nga punëtorja, duke thënë se një djalë po e përcillte dhe se kishte armë me vete.

Vetëm pak çaste më pas, në barnatore ka hyrë edhe i dyshuari, Valon Krasniqi, 32 vjeçar nga fshati Qollapek i Lipjanit.

Siç mëson Sinjali, ai fillimisht ka tentuar ta marrë me forcë viktimën, por pasi ajo ka refuzuar dhe ka tentuar të largohet, ai ka nxjerrë armën dhe ka shtënë dy herë në drejtim të saj, duke e plagosur.

E plagosur, viktima ka arritur të largohet dhe të futet në hapësirat e brendshme të barnatores, ndërsa i dyshuari e ka ndjekur.

Më pas, në një moment dramatik, ai ka kthyer armën nga vetja dhe ka qëlluar veten në kokë.

Policia është njoftuar menjëherë për të shtëna me armë zjarri dhe njësitë patrulluese kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë siguruar perimetrin.

Para barnatores është gjetur viktima me plagë nga arma e zjarrit, ndërsa brenda është gjetur i dyshuari i shtrirë me plagë në kokë.

Të dy janë dërguar fillimisht në emergjencë në Ferizaj dhe më pas janë transferuar në QKUK në Prishtinë për trajtim të mëtejmë.

Në vendin e ngjarjes është gjetur dhe sekuestruar arma e përdorur, si dhe gëzhojat, ndërsa hetuesit kanë nisur sigurimin e pamjeve nga kamerat e sigurisë së barnatores.

Sipas informacioneve të fundit, viktima është jashtë rrezikut për jetë, ndërsa i dyshuari ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe njësitë e hetimeve dhe hetimet rajonale, ndërsa për rastin është njoftuar prokurori i shtetit.

Hetimet janë në vazhdim për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë.

Komento: