Krejt çka ndodhi në aksionin e policisë në Veri – Ora Info Ballina | ORAinfo.com - Nuk ndalet

Krejt çka ndodhi në aksionin e policisë në Veri

19:26 | 28 Maj 2019

Gjashtë orët e aksionit policor në veri.

Ora 6 e mëngjesit i ka zgjuar banorët e qyteteve veriore të Kosovës me alarmin e emergjencës të strukturave paralele në këtë pjesë.

Thirrja për mobilizim të tyre u bë pas aksionit të Policisë së Kosovës, i cili kishte për qëllim arrestimin e disa personave të dyshuar për vepra penale që lidhen me kontrabandë, krim të organizuar e keqpërdorim të detyrës, raporton KTV.

Serbët lokalë, të armatosur, kanë penguar realizimin e këtij aksioni, e gjithashtu kanë vendosur barrikada nëpër rrugë.

19 zyrtarë policorë u arrestuan përfshirë drejtorin e policisë në Zubin Potok, gjithashtu 9 qytetarë, për të cilët kishte urdhër-arrest dhe pastaj edhe 7 qytetarë që penguan Policinë gjatë aksionit.

Përveç barrikadave, serbët lokalë u konfrontuan me pjesëtarë të Policisë.

Si pasojë e këtij konfrontimi një polic u plagos me armë zjarri derisa 4 të tjerë morën lëndime të lehta trupore.

Kjo është vetëm njëra nga barrikadat, të cilat u vunë në Zubin Potok nga serbët lokalë, që tentuan të pengonin aksion e policisë përmes këtyre barrikadave.

Aksioni ka përfunduar pas rreth 6 orësh, derisa dëshmitarët kanë shpjeguar çfarë panë gjatë aksionit.

“Atë çfarë dini edhe ju, të shtëna me armë, arrestime, bastisje. Neve na e kanë arrestuar një familjar, nuk dihet pse”, ka thënë një banor.

Të tjerë qytetarë serbë akuzuan presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për gjithë këtë aksion.

“Le të vijë Vuçiqi ta shohë se si është situata në Zubin Potok. I pari isha unë që kam shkuar për të parë çka po ndodh. Ata gjuanin me armë, por unë qëndroja aty për t’i dërguar bukë fëmijës tim. Vuçiqit duhet t’i vijë turp. Ai i ka tradhtuar serbët në Kosovë. Unë erdha për ta fotografuar veturën time. A duhet dikush të vdesë, të lërë kokën këtu që Vuçiqi të shohë se çka po ndodh”, ka thënë një tjetër qytetar.

Gjatë aksionit, policia arrestoi e më pas liroi shtetasin rus Mikhail Krasnoshchekov, dhe serbin Dejan Dimoviq, të dy punëtorë të UNMIK-ut.

Sipas MPB-së, shtetasi rus kishte vendosur si barrikadë veturën e tij të UNMIK-ut, duke penguar Policinë.

Ai u trajtua në spitalin e Mitrovicës për lëndimet e marra.

Në spitalin e Mitrovicës ndihmë morën edhe disa të arrestuar tjerë, të cilët më pas u dërguan në mbajtje.

Komento: