Gjithçka rreth helmit nga zarfet me vota që erdhën nga Serbia.
Pak orë pasi ia filluan punës, zyrtarët kosovarë të KQZ-së u detyruan ta ndërpresin atë.
Kjo, për shkak të kundërmimit nga hapja e zarfeve me fletëvotime të ardhura nga Serbia, verifikimi i të cilave kishte filluar qysh në mëngjes, raporton KTV.
Përveç ankesave për kundërmim, zyrtarët u ankuan edhe për kruarje të duarve dhe të fytyrës. Nëntë prej tyre kërkuan ndihmë në Qendrën Klinike Universitare.
Në vendngjarje, për më shumë se tri orë, qëndruan njësitet policore e forenzika, të cilat u morën me ekzaminimin e hapësirës.
Në afërsi të vendit ku janë të vendosura votat nga Serbia por edhe ato nga diaspora, ishin edhe zyrtarë të Komisionit Qendror Zgjedhor, por të cilët nuk dhanë shumë informata.
Kryeshefi i sekretariatit të KQZ-së, Enis Halimi, tha se do kujdesen që ky rast të mos ndikojë në mbarëvajtjen e zgjedhjeve.
Detaje lidhur me rastin nuk kanë pranuar të japin as nga Policia e Kosovës, e as nga Prokuroria Speciale.
Këta të fundit, prapa kamerave, thanë se janë duke u marrë me rastin, dhe se nesër do të dalin me një komunikatë për media. E, përveç votave nga Serbia, në objektin e Ministrisë së Infrastrukturës, ku është bërë verifikimi i votave, janë edhe ato nga diaspora