Krejt çka ndodhi sot në Zubin Potok, pasi u dogj Qendra e Regjistrimit

00:05 | 26 September 2021

Gjithçka që ndodhi sot në Zubin Potok, pasi u dogj Qendra e Regjistrimit.

Hapësirave të Qendrës së Regjistrimit të Automjeteve të cilat janë të vendosura në objektin e komunës së Zubin Potokut pas mesnatës dyshohet se iu vu zjarri, edhe atë qëllimshëm.

Të paktën kështu bëri me dije kreu i ministrisë së Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla.

E disa kilometra nga aty u shtua edhe barrikada e tretë nga ana e qytetarëve serbë.

Në fillimin e urës së fundit mbi Liqenin e Ujmanit që të shpie drejt pikës kufitare në Bërnjak në mbrëmjen e së premtës u bë një bllokadë horizontale me automjete të rënda, gjë që vështirësoi dukshëm kalimin e policëve gjatë ndërrimeve të tyre.

Protestuesit serbë vazhdojnë të qëndrojnë edhe për të gjashtën ditë para kësaj barrikade, derisa lëvizjet e tyre përcillen nga policët e Njësisë Speciale.

Numri i qytetarëve serbë që sot erdhi nga Serbia për të hyrë në Kosovë përmes kësaj pike kufitare ishte i ulët. Deri në mesditë rreth tetë sosh, të cilët kanë poseduar dëshmi në pëputhje të masave kundër COVID-19 të vendosura nga Qeveria e Kosovës, kanë kaluar këtë pikë kufitare

Edhe këtë ditë, si në të kaluarat, protestuesit serbë të cilët janë të pakënaqur me vendimin e qeverisë kosovare për vendosjen e masës së reciprocitetit për targa të automjeteve, u vizituan nga deputetët e Listës Serbe – Igor Simiq dhe Sllavko Simiq.

Komento: