Vendi në krizë, krerët e shtetit e lënë përnjëherë Kosovën për udhëtime jashtë vendit
Ndonëse vendi vazhdon të konsiderohet se ndodhet në krizë, shkaku i zhvillimeve të javëve të fundit në Veri, Kosova është lënë “pa zotët e shtëpisë” nga tre krerët e shtetit.
Presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca, sipas agjendave dhe njoftimeve të tyre publike del se nuk janë asnjeri sot në Kosovë, shkruan Reporteri.
Osmani e Kurti janë në “vizita zyrtare” jashtë Kosovës. Shefja e shtetit ndodhet në Austri, ndërsa shefi i ekzekutivit në Estoni.
E Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca ka marrë rrugë për në Gjermani, për t’iu përkushtuar aktiviteteve partiake të Lëvizjes së Vetëvendosje.
Ligji për Protokolli i Shtetit të Kosovës rregullon se se Protokolli i shtetit vihet në dijeni paraprakisht për çdo lëvizje të personaliteteve kryesore, Presidentit, Kryetarit të Kuvendit dhe Kryeministrit jashtë shtetit.
Ky ligj rregullon se vizitat e krerëve të shtetit jashtë vendit bashkërendohen në mënyrë që të mos jenë të tre njëkohësisht jashtë vendit.