Shahini: Qeveria duhet të ndal linçimet ndaj bizneseve.
Në emisionin EURO n’7, Agim Shahini, kryetar i AKB-së, shprehet tejet i shqetësuar me linçimet që sipas tij qeveria po u bënë bizneseve vendore.
Sipas tij linçimet që po u bëhen bizneseve vendore janë tepër të rrezikshme dhe se qeveria urgjentisht duhet të ndryshojë qasjen ngase po krijohet pasiguri e madhe për investime në vend.
Kryetari i AKB-së pohon mes tjerash se deklaratat publike të qeverisë për luftë të mundshme në vend po ashtu janë pengesë e madhe për zhvillimin ekonomik.
Sipas tij, kjo qasje e qeverisë në raport me bizneset ka bërë që shumë prodhues vendorë për shkak të kufizimeve që u ka bërë qeveria të orientohen që të blejnë produkte elementare për prodhimet e tyre edhe në Serbi.
“Me dhjetëra biznese vendore në pamundësi që të furnizohen me thëngjill në Obiliq, për shkak të kufizimeve të qeverisë, detyrohen që të importojnë milliona euro thëngjill nga Serbia. KosovaThëngjilli nuk u shet atyre thëngjill ngase KEK-u nuk i furnizon. Në njërën anë themi mos blini prodhime serbe e në anën tjetër prodhuesit detyrohen që për shkak të politikave të qeverisë, të shkojnë në Serbi për të blerë thëngjill, kjo nuk ka asnjë kuptim”, ka deklaruar mes tjerash kreu i AKB-së.
Në anën tjetër edhe përkundër vështirësive të panumërta që kanë prodhuesit vendorë, ata duke u mbështetur në forca të veta, kanë shtuar prodhimin e tyre dhe eksportin jashtë vendit.