Kreu i BSPK-së: Rritja e pagës minimale në 350 euro hap i rëndësishëm, por nuk është ajo që kemi dashur

13:28 | 22 Shtator 2024
kreu-i-bspk-se:-rritja-e-pages-minimale-ne-350-euro-hap-i-rendesishem,-por-nuk-eshte-ajo-qe-kemi-dashur

Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Atdhe Hykolli, ka komentuar lidhur  rritjen e pagës minimale në 350 euro bruto që  parashihet të hyjë në fuqi më 1 tetor 2024.

Ai e ka parë këtë rritje si një hap pozitiv për përmirësimin e kushteve të jetesës, por ka shprehur shqetësime se ajo mund të mos jetë e mjaftueshme për të përballuar rritjen e çmimeve dhe koston   e jetesës.

“Rritja e pagës minimale në 350 euro, siç është vendosur nga Qeveria Kurti për të hyrë në fuqi më 1 tetor 2024, është një hap i rëndësishëm për përmirësimin e kushteve të jetesës për shumë qytetarë dhe për rritjen e standardeve të jetesës në vendin tonë, po nuk është ajo që është dashur – tashmë më edhe kjo është pak krahasuar me rritjen e çmimeve dhe të kostos së jetesës”, tha Hykolli.

Hykolli ka theksuar rëndësinë e implementimit të këtij vendimi me përgatitje dhe koordinim të mirë, duke paralajmëruar për disa sfida si adaptimi i sektorëve ekonomikë, ndikimi në tregun e punës, dhe siguria financiare e bizneseve të vogla dhe të mesme.

“Implementimi i këtij vendimi është një proces kompleks që kërkon përgatitje dhe koordinim të mirë, është e rëndësishme të jemi të vetëdijshëm për sfidat që mund të lindin gjatë zbatimit të tij.

Sfidat mund të përfshijnë adaptimin e sektorëve të ndryshëm ekonomikë, menaxhimin e ndikimeve në tregun e punës, dhe sigurinë e qëndrueshmërisë financiare të bizneseve të vogla dhe të mesme. Po ashtu, do të ketë nevojë për mbështetje dhe monitorim të vazhdueshëm nga institucionet përkatëse për të siguruar që ky ndryshim të implementohet në mënyrë efektive dhe të drejtë nga të gjithë punëdhënësit”, u shpreh Hykolli.

Ai ka siguruar që BSPK do të monitorojë zbatimin e këtij vendimi dhe do të angazhohet për të adresuar çdo problem që mund të lindë, duke kërkuar gjithashtu përmirësime të mëtejshme në pagën minimale për të ndihmuar në rritjen e mirëqenies ekonomike dhe sociale të punonjësve

“ Ne si Bashkim i Sindikatave të Pavarura të Kosovës do të vazhdojmë të ndjekim dhe të angazhohemi për të siguruar që ky vendim të ketë ndikimin pozitiv të pritur dhe të ndihmojë në përmirësimin e kushteve të jetesës për punonjësit dhe do të vazhdojmë të negociojmë vlerën e re të pagës minimale që do të ndihmonte në rritjen e mirëqenies ekonomike e sociale të të punësuarëve”, përfundoi Hykolli.

Nga 1 tetori paga minimale në Kosovë 350 €, sindikalistët shprehen të pakënaqur – FrontOnline

 

Komento: