Lutfi Haziri aktivizon Komisionin e emergjencave kundër zjarreve.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, në bazë të rekomandimit të Agjensionit për Menaxhimin e Fatkeqësive Natyrore, ka aktivizuar mekanizmin e emergjencave kundër zjarreve, duke përfshirë këtu institucionet komunale nga sektori i emergjencave civile, zjarrfikësit, institucionet e rendit, të drejtësisë, e rojet e pyjeve, me qëllim që të veprohet në kohën sa më të shpejtë dhe të mbrohet prona publike dhe shtetërore nga zjarret.
Siç njoftohet, komuna e Gjilanit ka ndërmarr të gjithë hapat e nevojshëm për mbrojtje nga zjarri, përkundër që shërbimi i zjarrfikësve po mbahet me mbështetje të fuqishme nga zjarrfikësit vullnetar dhe për këtë çështje kërkojmë që të zgjidhet problemi i tyre nga niveli qendror.
“Apeloj te të gjithë qytetarët që të mos ndezin zjarre fushore dhe zjarre të tjera që shkaktojnë rrezik të përgjithshëm për qytetarët dhe ekonomitë familjare. Prona private dhe ajo shtetërore duhet të mbrohet. Inicimi i zjarreve është i sanksionuar dhe organet e drejtësisë dhe me kompetencën ligjore veprojnë ndaj të gjithë atyre që janë shkaktues të zjarrit. Bashkëpunimi me Policinë e Kosovës është i vazhdueshëm dhe ata janë në terren për të identifikuar çdo përhapje të zjarrit dhe shkaktarët. Ju lutem të jeni të kujdesshëm, që të mos bëni veprime të cilat mund ta rrezikojnë edhe jetën e qytetarëve, sepse zjarret përpos shkatërrimit dhe dëmtimit material që bëjnë, ato janë edhe rrezik për jetë”, ka thënë kryetari Haziri.
Përndryshe, numrat pa pagesë, 193 dhe 112, janë të hapur 24 orë dhe luten të gjithë që për çdo zjarr të kontaktoni emergjencat që të veprohet me kohë.