Kreu i LDK-së fton në takim Haradinajn, Limajn e Ahmetin

09:26 | 19 August 2019

Isa Mustafa fton në takim Haradinajn, Limajn e Ahmetin.

Kryetari i Lidhjes Demokatike të Kosovës, Isa Mustafa, do të takohet me kreun e Partisë Socialdemokrate, Shpend Ahmeti.

Burime të Gazetës Express brenda PSD’së, e konfirmojnë se takimi mes dy krerëve të partive do të mbahet në ora 11:00.

“Po, kryetari i LDK’së na ka ftuar për një takim” kanë thënë burime të Express brenda PSD’së, pa treguar detaje se cila është arsyeja e kësaj ftese.

Ndërsa mediat tjera raportojnë se edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, dhe kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, do të jenë pjesë e këtij takimi.

Gjatë ditës së djeshme, është raportuar se sot do të nënshkruhet një koalicion mes partisë së Ahmetit dhe kryeministrit Haradinaj. Ky koalicion pritet që të formalizohet me datën 21 gusht, një ditë para shpërbërjes së kuvendit.

Më parë, Mustafa ishte takuar edhe me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin, të cilët shprehën nevojën për një qeverisje të re.

Komento: