Rafuna: Barrikadat ndikuan në ngadalësimin e investimeve, bizneset s’po “shërohen” nga krizat.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Lulzim Rafuna, ka thënë se barrikadat e vendosur në veri nuk ishin pasqyrë e mirë për vendin.
Rafuna në një intervistë për Ekonomia Online, shtoi se bllokimi i rrugëve e paraqitja e kësaj situate në mediat me të mëdha botërore kanë ndikim në ngadalësimin e investimeve.
Sipas tij, edhe bizneset vendëse po vazhdojnë të përballen me kriza të vazhdueshme, duke shtuar se që nga pandemia, lufta në Ukrainë e inflacioni ato nuk po mund të “shërohen” në tersi.
Ai shtoi se krizën ekonomike do të duhej të menaxhohej më mirë nga ekzekutivi duke marrë shembull Shqipërinë për krijimin e një paketë për qytetarë dhe biznese.
“Mirë u bë shumë që u larguan barrikadat, nuk ka qenë një paraqitje e mirë. Ato nuk e stimulojnë investitorin e huaj me ardh, përkundrazi ato e ngadalësojnë procesin e investimeve. Mirëpo nuk është çështje që është e varur nga biznesi, por është vendimmarrje politike. Paraqitja mediale nëpër mediumet më të rëndësishme siç është BBC, CCN, SKY, barrikada, mbyllje e rrugëve nuk është pasqyrën e mirë”.
“Edhe të dhënat tregojnë që ka qenë viti më sfidues, bizneset dolën nga pandemia e nuk arritën të ‘shërohen’ plotësisht, pastaj ndodhi lufta në Ukrainë, sfida e tretë ka qenë mungesa e punëtorëve e sfida e katër inflacioni. Duke mos harru edhe mungesën e energjisë, pyetja e parë që ma bëjnë bizneset është a do të kemi energji, a do të shtrenjtohet”.
Rafuna ka treguar vështirësitë e bizneseve gjatë vitit 2022, ku tha se mungesa e fuqisë punëtore ka bërë që shumë biznese të riorganizohen dhe të blejnë pajisje të reja pune që të mosvaren nga faktori njeri.
Ai madje theksoi edhe se shumë kompani kanë punësuar punëtorë nga vendet tjera si Bangladeshi, Turqia, Nepali, mirëpo theksoi se këta punëtorë nuk kanë për qëllim që të punojnë gjatë në Kosovë.
“2022 përveç kuadrove të kualifikuar ka paraqitë sfidë edhe mungesa e kuadrove të pakualifikuar, shumë biznese janë detyruar të riorganizohen, janë detyruar që të investojnë më shumë në pajisje që mos me u var nga faktori njeri”, tha Rafuna.
“Shumë kompani kanë filluar që të mendojnë dhe kanë filluar që të importojnë fuqi punëtore prej disa vendeve tjera siç është Bangladeshi, Turqia, Nepali, mirëpo edhe ajo është sfidë në vetvete për arsye se nuk e kanë qëllim ata punëtorë që po vijnë të punojnë në Kosovë, mirëpo edhe deri sa ta gjejnë mundësinë e parë për t’u larguar nga Kosova, çka nënkupton që Kosovën më shumë e shohin si një vend transit se sa një vend që do të rrinë do të punojnë më gjatë”, deklaroi Lulzim Rafuna për Ekonomia Online.
Rafuna gjithashtu foli edhe mos bërjen publike të koeficientit të pagave ku tha se kjo nuk u jep mundësi që të dalin me një konstatim ose propozim sa i përket çështjes së pagave.
“Po për momentin ne nuk e kemi një të dhënë zyrtare se sa do të jetë paga faktikisht edhe kjo neve nuk na jep mundësinë që ta bëjmë një analizë se sa kishte më ndikuar në çështjen e pagave sa kishte me ndikuar në konsumin tonë, kështu që mungesa e moscaktimit të koeficientit neve nuk na jep hapësirë që të dalim me një konstatim ose me një propozim konkret sa i përket çështjes së pagave”, tha Rafuna.