Rukiqi: Kosovës nuk po i kërkohet të anëtarësohet në Ballkanin e Hapur pasi ajo është vetëm një nismë
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka thënë në emisionin Pressing në T7 se Ballkani i Hapur më shumë është zgjatim i Procesit të Berlinit, se sa një projekt paralel.
Rukiqi tha se Projekti i Berlinit vazhdon të jetë i gjallë, edhe pse nuk ka pasur takime mes liderëve të Ballkanit Perëndimor për një kohë të gjatë.
“Procesi i Berlinit është i gjallë. Ka një keqkuptim sa i përket kësaj pasi shumica e mekanizmave të saj janë në lëvizje e sipër. Ajo që unë e kuptoj dallimin mes Ballkanit të Hapur dhe Procesit të Berlinit, është se ideja ka qenë që të jetë një katalizator. Nëse synimet cka i arrin, sepse problemi për këto dy nisma ka qenë përmbajtja. Por unë e shoh si zgjatim të procesit dhe nuk i shoh si paralele. Unë kam takuar zoti Lajcak dhe Jim O’Brien e të tjerë që kanë qenë të përfshirë. Lajcak më ka thënë se do të shohim cfare po ndodh. Nëse ka sukses e përkrahim, ndërsa nëse jo atëherë mbetet si një nismë me qëllim të mirë. Nëse përmes këtij Ballkani të Hapur, iniciohet CRM që të krijohet Tregu i Përbashkët Rajonal, atëherë i bie që është zgjatim i saj dhe përforcim.”, tha ai.
Rukiqi shtoi se Kosovës nuk i duhet të anëtarësohet në këtë nismë, pasi ajo nuk është organizatë por është një mekanizëm.
“Nuk po i kërkohet Kosovës të anëtarësohet. Ballkani i Hapur është platformë. Është një nismë apo mekanizëm. Nuk duhet të anëtarësohesh. Procesi i Berlinit është se ka nisje të mirë, por diku ka ngecur. Nuk ka takime prej një kohe. I fundit ka qenë në Poznan”, shtoi ai.