Rukiqi: Mbi 20 mijë biznese u mbyllën për fundjavë, dëmet arrijnë shifrën deri në 15 milionë euro.
Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, në një konference për media ka thënë se masat kufizuese që ka ndërmarrë Qeveria, kanë shkaktuara dëme të mëdha të bizneset.
Rukiqi po ashtu ka thënë se masat e fundit të ndërmarra nga Qeveria, kanë qenë të pakoordinuara me komunitetin e bizneseve, transmeton Telegrafi.
“Sot janë mbyllur mbi 20 mijë biznese në gjithë vendin, nga këto masa janë prekur këto biznese që nuk do të punojnë gjatë fundjavës. Dëmet për këto biznese mund të arrijnë deri në 10 milionë apo 15 milionë euro brenda një dite. Ajo çfarë është më e keqja është se këto mjete që nuk shpenzohen në Kosovë do të shpenzohen në vendet e rajonit”, tha ai para mediave, përcjell Telegrafi.
Rukiqi shtoi më tej se problem i dytë i këtyre masave është lajmërimi me vonesë, dhe se po ashtu kanë pasur problem të shumta ta definojnë se cili është market i vogël.
“Gjatë gjithë ditës nuk kemi arritur të definojmë se çka është market i vogël, dhe si pasojë e kësaj kemi mijëra euro gjobë që janë shqiptuar. Qeveria duhet urgjentisht të miratojë edhe një përkrahje financiare për këto biznese që janë vazhdimisht të prekura nga pandemia”, theksoi ai.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që në fundjavë të u ndalohet veprimtaria e të gjitha subjekteve afariste dhe bizneseve, qendrave tregtare e rekreative, supermarketeve, subjekteve që ofrojnë shërbimet e gastronomisë (restorantet, kafiteritë dhe të ngjashme) në tërë territorin e Republikës së Kosovës, prej orës 20:00, më 06/11/2020 (e Premte) deri më 09/11/2020 (e Hëne) në orën 05:00.
Po ashtu, Qeveria ka vendosur që të fut në karantinë shtatë komuna: Prishtinën, Fushë Kosovën, Gjilanin, Obiliqin, Gjakovën, Podujevën dhe Shtimen.