Krijimi i Qeverisë së re, taksa mund të hiqet thotë Pacolli

22:00 | 27 August 2019

Çështja e taksës vazhdon të jetë temë e diskutimit.

Presidenti i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, tha se Qeveria e re do t’i hapë rrugë dialogut, teksa ka shprehur besimin se taksa do të hiqet.

Ai ka thënë se marrëveshja finale me Serbinë duhet të arrihet.

Duke folur në televizionin publik, Pacolli ka thënë se për Serbinë e cila po punon kundër interesave të Kosovës, Pacolli tha se Serbia po bën propagandë aktive kundër Kosovës.

“Flet për tërheqjen e njohjeve, por kjo nuk është e vërtetë”, tha Pacolli.

“Kosova sot shihet si vend që e bllokon dialogun, si vend që nuk dëgjon dhe që nuk kryen punë me miqtë e saj. Përpara ka pasur mbështetje, por pas vitit të fundit vërehet mungesa e mbështetjes. Shpresoj se ajo do të kthehet”, ka thënë Pacolli.

Aleanca Kosova e Re (AKR) ka nënshkruar koalicionin parazgjedhor me Nismën Socialdemokrate me të cilin do të futen në zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen më 6 tetor.

Presidenti i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, ka vlerësuar se në këto dy vite ka punuar në krah me liderin e Nismës, Limaj dhe kanë pasur gjykime të njëjta për punët e qeverisë.

“Për këto dy vite ne kemi pasur bashkëpunim të mirë dhe kjo ka ndikuar që të kemi koalicion parazgjedhor për zgjedhjet e parakohshme”, tha ai.

Presidenti i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, bëri me dije se kanë bërë koalicion edhe me PD.

“Besoj se nuk do të kemi koalicione me parti të mëdha. Nga sot në koalicionin AKR e nisma është bashkëngjitur edhe Partia e Drejtësisë, e Aganit. Agani nuk e ka keqpërdorur interesin e qytetarit”, tha ai.

Presidenti i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, tha se duan t’i tregojnë qytetarit një lloj tjetër të qeverisjes.

“Në Kosovë përmes fabrikave të mija kam gjeneruar 5 mijë vende të punës. Vetëdija e qytetarit në Kosovë ka qenë ë tillë ku gjërat janë trajtuar me inat. Më kanë sharë shumë, madje madje më kanë quajtur edhe grabitës. Unë nuk jam grabitës. Unë kam punuar dhe fituar jashtë. Në Kosovë kam investuar. Disa trende ekonomike në Kosovë i kemi humbur, sidomos për ‘Trepçën’, sepse u krijua përshtypja që unë po shikojë të fitojë diçka për vete e nuk ishte ashtu”, tha ai.

Duke folur edhe për ish-partiakun që së fundi iu ka bashkangjitur Vetëvendosjes, Pacolli ka thënë se “Agim Bahtiri në mënyrë euforike ka folur se AKR është partia ku ai do të plaket”.

“Unë jam njeri me prirje që të besoj, dhe njerëzit prapë mund të më mashtrojnë”, tha Pacolli.

Pacolli, tha se njerëzit duhet të lëvizin lirshëm, kosovarët mund të shkojnë ta shijojnë perëndimin dhe të kthehen prapë në Kosovë.

“Nëse kanë ndonjë mundësi, le ta shfrytëzojnë. Unë jam njëri nga ata që kam shkuar e punuar jashtë, por nuk jam shkëputur fare nga Kosova. Pse po ikin të rinjtë, fajtore është politika. Nuk dua ta shfajësoj”, tha ai.

Presidenti i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, tha se për ushtrinë nuk kemi bërë asgjë. “Vetëm ia kemi ndryshuar emrin”, tha ai.

Për taksën, Pacolli tha se fillimisht ka qenë hap i qëlluar, por gjatë procesit është dashur të adresohen disa probleme vitale për Kosovën.

“Liderët që thonë se nuk do ta heqin taksën po gënjejnë. Nuk është mirë të mashtrohet elektorati”, tha ai. “Isha ministër i Jashtëm por e kisha shumë vështirë, sepse nuk kisha mundësi të japë asnjë përgjigje për çështjet që ishin në tryezë. Thjeshtë nuk kisha informacion. Politika nuk ishte e koordinuar”, tha ai.

Pacolli tha tutje se vizat nuk u liberalizuan thjeshtë sepse nuk është punuar sa duhet.

“Liberalizimi i vizave varet edhe nga proceset e tjera”, tha ai.

Komento: