Është lajmëruar sërish Dick Marty, duke paralajmëruar “dëshmi” të reja për luftën e Kosovës.
Ish-raportuesi i Këshillit të Evropës, Dick Marty, ka thënë se nuk dihet e gjithë e vërteta për dëmet në Kosovë dhe se shumë fajtorë nuk janë përgjigjur për atë që kanë bërë.
“Vetëm e vërteta për konfliktin në Kosovë mund të çojë deri te pajtimi. Unë vetëm pak e kam shpalosur. Mbetet shumë për t’u bërë në këtë drejtim”, ka thënë Marty, për gazetën serbe “Vecernje Novosti”.
Dick Marty, që është një ish prokuror i shtetit në kantonin e Ticino të Zvicrës, ka thënë se libri i tij i ri “Një ide e caktuar e drejtësisë” flet për diçka të tillë, përcjell Telegrafi.
Sipas tij, libri përmban elemente të cilat ai i ka zbuluar gjatë hetimeve të bëra, “në të cilat shumë krime dhe kriminelë kanë mbetur të pa dënuar, siç është rasti me liderët shqiptarë në Kosovë”.
Ai thotë se ende nuk ka rezultate dhe se epilogu i tërë asaj që ka të bëjë me krimet në Kosovë është i paqartë.
“Edhe në konfliktin e Sirisë për të gjitha po përpiqen ta akuzojnë pushtetin. Gjërat nuk janë qa të thjeshta”, tha ai.
Mbi bazën e raportit të Martyt është themeluar edhe Gjykata Speciale në Hagë, e cila tashmë veçse ka nisur t’i ftojë për intervistim ish-krerët e UÇK-së.
Ndërsa kjo deklaratë e tij vjen në kohën kur kryeparlamentari i Kosovës ka nisur iniciativën për themelimin e një Gjykate apo Tribunali për gjykimin e dëmeve serbe në Kosovë.