Kriteret për heqjen e vizave rivlerësohen sërish nga BE

08:14 | 26 June 2019

Rivlerësim të kritereve për heqjen e vizave.

Kriteret e liberalizimit, për të cilat Komisioni Evropian ka konstatuar të jenë përmbushur në tërësi, do të rivlerësohen sërish.

Qeveria e ka pranuar këtë duke hyrë në aranzhime me shtete të veçanta brenda Bashkimit Evropian. Kjo ndërmarrje, për të cilën kabineti i Haradinajt nuk ka ofruar sqarime, është vlerësuar të jetë e rrezikshme dhe kthim prapa në proces, shkruan sot Koha Ditore.

Njohësja e integrimeve evropiane, Donika Emini, ka thënë se çfarëdo veprimi tjetër rreth vizave duhet kanalizuar nëpërmjet BE-së, e jo shteteve anëtare.

Zyra e kryeministrit, por as Ambasada e Gjermanisë nuk kanë dhënë sqarime se për çfarë protokolli bëhet fjalë, cilat kritere do të vlerësohen dhe sa do të marrë kohë. Koha Ditore ka pyetur edhe në Ministrinë e Integrimit, por kanë thënë se “duhet t’i drejtoheni Zyrës së kryeministrit për çështjet në të cilat keni pyetje shtesë”.

Derisa javën e kaluar kryeministri i ka quajtur protokolle bilaterale, gazeta merr vesh se do të krijohen grupe teknike për rivlerësimin e kritereve. Deri tani një protokolli i tillë është nënshkruar me Gjermaninë, vend ky për të cilin Haradinaj ka thënë se i ka dhënë mbështetje të pakushtëzuar liberalizimit të vizave.

Komento: