Kritikohet gjuha e përdorur nga zyrtarët qeveritarë

19:38 | 18 November 2024
kritikohet-gjuha-e-perdorur-nga-zyrtaret-qeveritare

Profesorë të shkencave të komunikimit dhe shoqëria civile, kanë kritika kundrejt gjuhës së përdorur nga akterët qeveritarët. Si efekt i gjuhës me përmbajtje joparlamentare, po konsiderohet polarizimi i shoqërisë.

“Shthurje mentale”, “kriminela”, horra”, janë vetëm disa nga shprehjet e përdorura nga një ministër i Kosovës në një postim të tij në rrjetin social Facebook.

Ky adresim i ministrit të Bujqësisë, Faton Peci iu drejtua akterëve opozitarë, që ditë më parë publikuan material se si dikasteri i Bujqësisë i kishte ndarë grant rreth 100 mijë euro vëllaut të deputetes së VV-së, Fitore Pacolli, për biznesin të cilin e kishte regjistruar në ARBK vetëm katër ditë para se të fitonte grantin.

Kërkohet përmbajtje nga përdorimi i kësaj gjuhe, marrë parasysh se janë bartës të institucioneve.

“Mospërdorimi i një gjuhe të mirëfilltë të cilën anëtarët e qeverisë do duhej të me përdor, ndikon jashtëzakonisht keq fillimisht në besimin e qytetarëve ndaj atyre institucioneve, më pas edhe në imazhin e komplet institucionit të cilin ai individ e përfaqëson. Gjithashtu, këtu duhet pasur parasysh faktin se anëtari i qeverisë në momentin e deklarimit të tij nuk e përfaqëson vetëm veten si individ, mirëpo e përfaqëson gjithë institucionin”, thotë Melos Kolshi nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

Përdorimi i kësaj gjuhe, si efekt vlerësohet se ka polarizimin e shoqërisë.

“Efekti pa dyshim që është ndarja shoqërore, polarizimi shoqëror në dy skaje, pro dhe kundër. Dhe në këtë mes, kur polarizimi shoqëror ndodh, më së shumti që dëmtohen janë faktet, në kuptimin që njerëzit më nuk janë në gjendje që të dallojnë se cila në fakt është e vërteta për një ngjarje të cilën flitet”, thotë profesori universutar, Alban Zeneli.

Gjuhë joparlamentare kanë përdorur deputetë nga radhët e partisë në pushtet, duke përdorur metafora që në fokus kanë kafshët./Tëvë1

Komento: