Kriza energjetike, mobilizohet Evropa

18:31 | 08 Shtator 2022

Kriza energjetike ka kapluar gjithë Evropën.

Europa është vënë në garë me kohën për të gjetur një rrugëdalje nga kriza energjetike, në prag të atij që paralajmërohet të jetë dimri më i vështirë në dekada. Ndërsa presidenti rus, Vladimir Putin, paralajmëroi se do të ndërpresë të gjitha furnizimet duke e “ngrirë” kontinentin e vjetër, Gjermania, shteti me më shumë varësi nga gazi rus, zotohet se do të gjejë një mënyrë për të ulur çmimet e për të luftuar krizën.

“Gjëja më e rëndësishme është të ndalim menjëherë manipulimin e çmimeve nga Putin. Ne nuk mund të dorëzohemi përballe çmimeve të larta, dhe prandaj duhet të ndyshojmë modelin e tregut të energjisë në mënyrë që kostot e favorshme t’u kalojnë konsumatorëve”, tha ministri i Ekonomisë, Robert Habeck.

Ministri i Ekonomisë shtoi se qeveria do të krijonte një paketë masash mbrojtëse për kompanitë gjermane, dhe programe lehtësuese për bizneset e vogla.

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von Der Leyen, prezantoi të mërkurën propozimet e shumëpritura për të luftuar krizën energjetike dhe për të reduktuar çmimet në rritje që po vendosin nën stres të madh financiar familjet dhe kompanitë europiane.

“Synojmë uljet e çmimeve të gazit dhe do të propozojmë një tavan në çmimin e gazit rus. Propozojmë gjithashtu një objektiv të detyrueshëm për të reduktuar elektricitetin në orët e pikut dhe do të punojmë ngushtë me shtetet anëtare për të arritur. Është koha që konsumatorët të përfitojmë nga burimet low cost të energjisë, dhe ne do të propozojmë rikanalizimin e të ardhurave nga këto burime”, u shpreh Von Der Leyen.

Ministrat e Energjisë së BE-së takohen të premten për t’u dakordësuar mbi një plan të gjerë të bllokut që do të adresojë çmimet në rritje të energjisë.

Komento: