Kriza me energji elektrike, disa familje nga Prishtina marrin këtë vendim

18:56 | 11 October 2022

Qytetarët po i kthehen drunjve për ngrohje

Për shkak të frikës se mund të ketë reduktime, por edhe rritje të çmimit të rrymës, familja Beka nga Prishtina, ka vendosur që këtë dimër të ngrohet me stufë me dru zjarri.

Adelina Beka, rreth të 30-tave, tregon për Radion Evropa e Lirë se familja e saj gjashtëanëtarëshe, që jeton në lagjen Kolovica të kryeqytetit të Kosovës, për vite me radhë ishte ngrohur me energji elektrike.

“Për gjashtë vjet në shtëpi kemi pasur ngrohje me rrymë. Sivjet kemi blerë një stufë dhe drutë e zjarrit. Nuk e di sa metra kemi blerë, por e di që 50 euro ka kushtuar metri. Drutë i kemi blerë në muajin maj. Do të jetë sfidë sepse me ngrohëse elektrike i kemi ngrohur të gjitha dhomat e shtëpisë, tashmë duhet vetëm një”, thotë ajo.

Paralajmërimet për një dimër “shumë të pasigurt”

Dyfishimi i çmimit të energjisë në berzat ndërkombëtare gjatë korrikut, por edhe kapaciteti i kufizuar për prodhim të brendshëm, kanë shtyrë autoritetet e Kosovës që të bëjnë thirrje për kursim të energjisë.

Më 27 korrik, Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) ka paralajmëruar një dimër “shumë të pasigurt”, kurse më 9 gusht ka kërkuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji, (ZRRE) shtrenjtimin e tarifave të rrymës.

Më 8 shkurt të këtij viti, ZRRE-ja tashmë ka miratuar tarifa më të shtrenjta të rrymës që u tha se do të jenë në fuqi deri më 31 mars të vitit të ardhshëm.

Ky shtrenjtim, megjithatë, ka prekur vetëm ata konsumatorë që shpenzojnë mbi 800 kilovat në orë gjatë një muaji.

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), me dy termocentralet, Kosova A dhe Kosova B, mund të prodhojë energji deri në 800 megavat në orë, kurse nevojat e konsumatorëve, në ditë dimri, arrijnë deri në 1.300 megavat në orë. Diferenca tjetër sigurohet nga importi. Sipas ZRRE-së, Kosova vitin e kaluar ka importuar 1.311.461 megavat rrymë.

Përveç, ngritjes së çmimit, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka deklaruar se gjatë muajve të ardhshëm është e pritshme që disa nga shtetet e Evropës të ndalojnë eksportin e lëndëve djegëse dhe energjisë elektrike.

Sipas vlerësimeve të Institutit për Politika Zhvillimore në Kosovë (INDEP), gjatë sezonit të dimrit, 75 për qind e konsumit të rrymës shpenzohet për ngrohje.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, mbi 50 për qind e sektorit të amvisërisë shfrytëzojnë biomasë (dru zjarri dhe pelet), kurse energjia elektrike më shumë shpenzohet nga sektori i biznesit dhe ai i shërbimeve.

E se interesimi i qytetarëve për të blerë dru për ngrohje është rritur, e konfirmon shitësi i këtij produkti në Prishtinë, Jakup Halili, rreth të 60-tave. Por, po ashtu, ai thotë se edhe çmimet janë rritur.

“Interesimi është tepër, tepër i madh sepse nuk ka siguri për rrymë. Nuk ka alternativa dhe njerëzit nuk kanë çare pa blerë dru. Gjatë një dite shiten deri në 50 metra dru, shumë më shumë se viteve të tjera”, thotë Halili, duke shtuar se një metër dru sivjet po shitet për 60 deri në 70 euro, ndërkaq vitin e kaluar çmimi ishte rreth 40 euro.

Cilat janë alternativat?

Përderisa disa qytetarë po zgjedhin të ngrohen me dru, nga rreziku i mungesës së rrymës, disa të tjerë nuk kanë alternativa, për shkak se jetojnë në banesa kolektive.

Njëri ndër ta është profesori i pensionuar Adem Berisha, i cili së bashku me bashkëshorten e tij jeton në një banesë në Prishtinë.

“Në banesë, përveç rrymës nuk ka zgjidhje tjetër, pasi banesa oxhak nuk ka. Do të blej ndonjë radiator që shpenzon rrymë më pak, ose ndonjë aparat ngrohës që akumulon rrymën natën dhe e shfrytëzojmë ditën. Tjetër nuk di çka të bëj”, thotë ai.

Alternativë tjetër për qytetarët është ngrohja përmes djegies së peletit, por edhe kjo lëndë djegëse është shtrenjtuar.

Vitin e kaluar një ton pelet ka kushtuar rreth 200 euro, ndërkaq sivjet çmimet po variojnë nga 300 deri në 400 euro, varësisht nga dyqani dhe rajonet ku shitet ky produkt.

Peleti përdoret për ngrohjen e banesave që kanë të instaluara kaldaja për këtë lëndë djegëse.

Por, pavarësisht rritjes së çmimit, në treg ka mungesë të peletit. Bashkim Zejnullahu, pronar i kompanisë se prodhimit të peletit, “Thes-Ari” në Komunën e Vitisë, thotë se aktualisht ka ndërprerë shitjen e këtij produkti për konsumatorë dhe po prodhon vetëm për kompanitë që kanë nënshkruar më herët kontrata.

Sipas tij, kërkesa e konsumatorëve për pelet është shumëfish më e lartë sesa vitin e kaluar.

Vlera e importit të këtij produkti gjatë vitit 2021 dhe sivjet ka arritur në rreth 9 milionë euro dhe për shkak të rritjes së çmimit, autoritetet në Kosovë kanë paralajmëruar vendosjen e një çmimi tavan.

Si mund të ngrohen shtëpitë?

Organizatat joqeveritare që merren me sektorin e energjisë thonë se për të pasur një dimër të përballueshëm, autoritetet kompetente duhet të nisin të subvencionojnë burimet alternative për ngrohje.

Eksperti i politikave të energjisë në INDEP, Dardan Abazi, thotë për Radion Evropa e Lirë se heqja e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) për panelet solare, për pelet, subvencionimi i paneleve diellore dhe pompave të ngrohjes për bizneset dhe familjet, do ndihmonte që konsumatorët ta kalojnë më lehtë dimrin.

Ai shton se favorizimi i peletit për ngrohje dhe subvencionimi i kësaj lënde djegëse do të zvogëlonte kërkesën për ngrohje me rrymë.

Aktualisht, rreth 94 për qind e energjisë elektrike në Kosovë prodhohet nga djegia e thëngjillit, ndërsa rreth 6 për qind nga burimet e ripërtërishme, si: hidrocentralet, centralet me erë dhe panelet me diell.

Në rast të mungesës së rrymës gjatë dimrit, që shtëpitë të jenë të ngrohta duhet investuar edhe në izolimin e tyre, por edhe në pompa termike apo kaldaja qendrore për ngrohje.

Por, për të gjitha këto, Qeveria duhet të ndajë një shumë të granteve, thotë Hamdi Malushaj, drejtor në kompaninë “Evroenergie”, kompani kjo që merret me analiza dhe studime të çështjeve energjetike në tregun e Kosovës dhe Gjermanisë.

Pompat termike janë pajisjet kryesore të radiatorëve që shërbejnë për ngrohje. Këto pompa konsumojnë më pak energji elektrike.

Por, Malushaj thotë se është e vështirë që vetë qytetarët ta zgjidhin këtë problem. Përveç shpenzimit të rrymës, sipas tij, ata duhet të sigurojnë dru zjarri ose pelet dhe këto paraqesin kosto shtesë.

Gjithashtu, lëndët djegëse kontribuojnë edhe në ndotjen e ajrit.

“Qeveria duhet të veprojë shpejt në dhënien e mjeteve financiare në formë të granteve për izolimin e shtëpive”, thotë Malushaj, duke shtuar se një pjesë të parave do të duhej ta financonte Qeveria dhe pjesën tjetër vetë qytetarët.

“Mund të hiqet edhe TVSH-ja për pompat termike, taksa doganore, në mënyrë që të kemi një dimër më të butë. Jemi vonë për të marrë vendime të sigurta, por për të zvogëluar pasojat ka ende hapësirë”, shton ai.

Në vitin 2018, mbi 43 për qind ekonomive familjare nuk kanë mundur t’i ngrohin shtëpitë e tyre në mënyrë adekuate, thuhet në të dhënat e ASK-së.

Ndërkaq, në raportin e fundit të iniciativës rajonale rajonale “Balkan Green Foundation” thuhet se “afër një e katërta e familjeve në Kosovë kanë problem me izolimin bazë në shtëpitë e tyre.

Nga kjo shifër 22 për qind e familjeve kanë problem me çati, mure, dysheme që rrjedhin, themele të lagura, korniza të dritareve dhe dysheme të kalbura.

Cilat produkte ngrohëse do t’i subvencionojë Qeveria?

Në mes të paralajmërimeve për një dimër shumë të pasigurt, më 4 gusht, Qeveria e Kosovës miratoi disa masa emergjente për furnizimet me rrymë.

Në këto masa përmendet mbështetje për qytetarët me qëllim të sigurimit të ngrohjes gjatë dimrit. Por, nuk përmenden konkretisht se për çfarë masash bëhet fjalë.

REL ka pyetur Ministrinë e Ekonomisë se cilat do të jenë masat mbështetëse për qytetarët, por deri në publikimin e këtij teksti nga ky institucion nuk kanë kthyer përgjigje.

Megjithatë, ministrja Rizvanolli, pas mbledhjes së Qeverisë më 10 gusht, tha se ekzekutivi do të subvencionojë pompat termike, stufat me pelet, teksa vëmendje e veçantë do t’iu kushtohet familjeve që marrin ndihma sociale, duke subvencionuar edhe ngrohjen me dru zjarri.

“Kjo listë e masave në ditët në vijim do t’i dërgohet Ministrisë së Financave, për të parë mundësitë e financimit se në çfarë mase do të mund të financohet”, tha Rizvanolli, teksa shtoi se vendin po e pret një dimër i vështirë.

Mënyrat e kursimit

Për shkak të shtrenjtimit të tarifave dhe nevojës për kursimin e rrymës, ZRRE-ja më herët gjatë vitit doli edhe me disa rekomandime.

“Aktivizimi i makinave për larjen e rrobave, si dhe i atyre për larjen e enëve gjatë natës, me tarifa të ulëta, është vetëm një nga metodat për kursim”, thuhet në një prej rekomandimeve të ZRRE-së.

Ky institucion po ashtu ka rekomanduar që akumulimi i nxehtësisë nga termot ngrohëse të bëhet gjatë natës, kur tarifat e rrymës janë të ulëta, ndërkaq bojleri të përdoret vetëm atëherë kur nevojitet.

Lëvizja e çmimeve të rrymës fillimisht ka nisur për shkak të pandemisë së koronavirusit, por gjendja është përkeqësuar edhe më shumë pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës në fund të shkurtit, që ka bërë që kriza energjetike të kaplojë të gjithë botën.

Komento: