Kriza me koronavirus, bie qarkullimi i bizneseve për rreth 45%

10:46 | 02 June 2020

ATK-ja inkason 45 milionë euro më pak se që ishte plani shkaku i pandemisë.

Administrata Tatimore e Kosovës nuk ia ka dalë të realizojë planin e të hyrave për pesë muajtë e parë të vitit për shkak të pandemisë.

ATK-ja ka mbetur minus 45 milionë euro krahasuar me planin që kishte për këta pesë muaj. Po ashtu, ka inkasuar 22 milionë euro më pak se në periudhën e njëjtë të vitit të shkuar, përcjell KP-ja.

Drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj, thotë se në periudhën janar – maj janë inkasuar 186 milionë euro.

“Në këtë pesë-mujor kemi arritur të inkasojmë mbi 186 milionë euro të hyra tatimore. Të hyra këto të cilat nëse i shohim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, shihet se kemi një rënie për diku mbi 22 milionë euro. Ndërsa, me planin kemi një mosrealizim të planit rreth 45 milionë euro. Mirëpo, kjo ndahet në dy etapa, prej 1 janarit deri më 18 mars ose deri në fillim të pandemisë, ATK ka qenë me një performancë të shkëlqyeshme, duke realizuar të hyra për 11.2 për qind më shumë se periudha e njëjtë e vitit 2019 dhe në raport me planin kemi pasur një tejkalim deri më 18 mars për 3.62 për qind. Mirëpo, pandemia përveç që ka ndikuar në shëndetin publik dhe në ekonomi, padyshim që edhe në hyrat tatimore ka pasur një refleksion të theksuar”, deklaroi Murtezaj.

Si pasojë e pandemisë COVID-19 shumë biznese kanë ndaluar punën tërësisht.

Komento: