Kriza në Ukrainë mund do të ndikojë në shtrenjtimin e naftës dhe miellit në Kosovë

09:11 | 23 February 2022

Paralajmërohet se kriza në Ukrainë do të ndikojë në shtrenjtimin e naftës dhe miellit në Kosovë.

Kriza në Ukrainë, pas aneksimit të dy rajoneve të saj nga Rusia, do të ketë impakt direkt në ekonominë evropiane, sikurse dhe në Kosovë. Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, thotë se pritet të shtrenjtohen edhe më derivatet e naftës, gruri dhe metalet.

“Janë produkte që do të prekin bazamentin e zhvillimit ekonomik”, ka thënë Shala, për Ekonomia Online.

“Situata e luftës në Ukrainë, apo bombardimi rus në Ukrainë, do të reflektojë jo vetëm në pjesën ku po zhvillohen luftimet, por do të ketë impakt direkt edhe në tërë ekonominë evropiane dhe më gjerë. Në Kosovë do të reflektojë shumë shpejt në ngritjen e derivateve të naftës”.

Gjithashtu pritet shtrenjtimi i miellit dhe metaleve, pasi Ukraina e ka (pasur) të zhvilluar industrinë e rëndë të përpunimit të metaleve.

“Është e mundur për shkak të importeve të mëdha që ka pasur rajoni nga Ukraina me grurë. Një faktor ndikues ka qenë furnizimi në tregun regjional me metale të rënda për shkak se industria e rëndë e përpunimit të metaleve ka qenë mjaft e zhvilluar”.

Këto shtrenjtime, bashkë me rritjen enorme të çmimit të energjisë elektrike, do ta vështirësojnë edhe më shumë jetën e qytetarëve në Kosovë.

PDK kërkon komision hetimor për shtrenjtimin e rrymës

Derisa ka folur për shtrenjtimet, deputeti Shala përsëriti qëndrimin e PDK-së se vendimi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike (ZRrE) për ngritjen e tarifave është bërë përmes një procesi jotransparent dhe me shumë defekte.

Ai bëri të ditur se PDK-ja ka kërkuar të formohet një komision hetimor.

“Ky proces është faktuar ka qenë i parregullt, jotransparent dhe me shumë defekte. Nuk ka qartësi dhe nuk ka vendimmarrje të mirëfilltë. Dëmi është shumë i madh. Dhjetëra qindra milionë euro në buxhetin e Kosovës”.

“Ne po kërkojmë që të formohet një komision hetimor që i tërë procesi të jetë transparent dhe qytetarët ta dinë sa, si dhe ku po shkojnë mjetet e tyre”, tha Shala.

Komento: