Bundesliga ka një zgjidhje për problemin e koronavirusit
Bundesliga tashmë ka treguar një shembull për protokolin që duhet ndjekur gjatë pandemisë së Covid-19.
Mbrëmë është mësuar se në Bundesliga rezultojnë edhe tre emra të rinj me koronavirus, të tre nga skuadra e Koln.
Mjeku i kësaj skuadre ka treguar se cilat rregulla po ndjekin me lojtarët që kanë rezultuar pozitiv, dhe ky shembull po shihet si i mirë edhe në vende të tjera.
“Ata dhe të gjithë njerëzit që kanë pasur kontakt direkt me ta, do të shkojnë në karantinë për dy javë, sipas këshillave të Institutit Robert Koch”, ka thënë mjeku i Koln, Paul Klein, transmeton lajmi.
“Kjo do të thotë, të gjithë njerëzit që kanë rrezik të madh për infektim, sepse ata kanë jetuar në të njëjtën shtëpi për shembull. Kjo do të thtoë se ata kanë pasur kontakt direkt me lëngjet trupore të personit të afektuar, në një periudhë për më shumë se 15 minuta, bisedë direkte pa distancën e duhur sociale. Këta njerëz duhet të thyejnë zinxhirin e infektimit, duke shkuar gjithashtu në karantinë”, ka shtuar Klein.
Kjo po shihet si zgjidhje e mirë, pasi sipas mjekut të Koln, nuk obligon gjithë skuadrën që të shkojë në karantinë.
“Parakushti për këtë është, sigurisht, që tani që kemi filluar testimin, ne të vazhdojmë të testojmë rregullisht, kështu që vetëm ata që janë negativ të jenë pjesë e stërvitjes. Ne pastaj e dimë se kush e bart virusin dhe kush jo. Kjo është pikërisht ideja që qëndron pas konceptit mjekësor të DFL”, ka thënë ndër të tjerash mjeku i Koln.
Shembulli i Bundesliga për të karantinuar lojtarët e veçantë, por jo gjithë skuadrat, pritet të ndjeket si shembull edhe nga ligat tjera.