
Humbja ndaj Benficas ka tronditur ambientin te Milani, ndërsa kritikat ndaj skuadrës dhe trajnerit Ruben Amorim janë shtuar ndjeshëm.
Milani u mposht në San Siro nga Benfica, në një ndeshje që ka lënë shumë pikëpyetje për paraqitjen e kuqezinjve. Kritikat nuk kanë ardhur vetëm nga mediat italiane, por edhe nga Shtetet e Bashkuara, ku paneli i CBS Sports ka qenë i ashpër në vlerësimin e performancës së ekipit dhe trajnerit, përcjell ORAinfo
Pakënaqësia u shfaq qartë edhe në San Siro, ku tifozët e vërshëllyen skuadrën pas vërshëllimës së fundit.
Amorim, ndërkohë, pas ndeshjes pranoi një sërë problemesh të evidentuara te skuadra, duke vënë në pah mangësi si në fazën ofensive, ashtu edhe në atë defensive.
Cardinale i pakënaqur, pritet takim me Amorim
Sipas raportimeve të MilanNews, pronari i Milanit, Gerry Cardinale, është i pakënaqur me paraqitjet e skuadrës në tri ndeshjet e fundit, ndërsa humbja ndaj Benficas konsiderohet si shqetësimi më i madh deri tani.
Për këtë arsye, gjatë ditës së sotme pritet të zhvillohet një takim i brendshëm për të analizuar në mënyrë të detajuar problemet e skuadrës.
Milani ka shfaqur dobësi në disa aspekte të lojës, si me topin ashtu edhe pa të, ndërsa problemet janë evidentuar si në sulm, ashtu edhe në mbrojtje.
Një tjetër pikë shqetësuese lidhet me formacionin bazë. Amorim ende nuk ka arritur të konsolidojë një njëmbëdhjetëshe të pandryshueshme, ndërsa vendimet taktike të trajnerit po analizohen gjithnjë e më shumë.
Në ndeshjen ndaj Benficas, skuadra portugeze kishte bërë nëntë ndryshime në formacion, por pavarësisht kësaj tregoi më shumë intensitet, dëshirë dhe efikasitet për të marrë fitoren.
Milani vazhdon të ketë probleme për të gjetur rrjetën në pjesën e parë dhe tashmë ka shkuar në 270 minuta pa fitore.
Pas një vere ku pritej përparim, presioni mbi Amorim dhe skuadrën është rritur ndjeshëm. Takimi i sotëm pritet të shërbejë për të analizuar situatën dhe për të përcaktuar hapat e ardhshëm. /ORAinfo/