Mungesa e mallrave në veri, një krizë e orkestruar.
Raftet e dyqaneve dhe stendat në tregjet e veriut të Kosovës tashmë janë gjysmë të zbrazura. Ky është reagimi i serbëve lokalë, të cilët bojkotojnë prodhimet kosovare, pas mbylljes së kanaleve të kontrabandimit të mallrave nga Serbia. Por, a është e gjithë kjo një krizë e organizuar?
“Kjo është një katastrofë”, thotë një grua në veri të Mitrovicës.
Në raftet e dyqaneve tashmë mungojnë disa produkte qumështi, buka zhduket më shpejt, dhe nevojitet të vizitohen disa dyqane që të gjenden pelena, miell dhe ushqime të tjera.
“Gjithmonë ndodhë diçka, për të cilën e pëson populli, dikush duhet të bëjë diçka”, shton ajo.
Siç raporton Deutsche Welle në gjuhën serbe, përcjell Telegrafi paralajmërimi i mungesës së furnizimeve në zonat serbe në veri të Kosovës këtë herë erdhi nga Prishtina.
Kryeministri Ramush Haradinaj ka paralajmëruar së fundmi publikun se një grup biznesmenësh serbë do të bëjnë përpjekje për të paraqitur një “krizë humanitare të rreme”, pas së cilës gazetarët nga Prishtina shkuan në Mitrovicë duke konfirmuar deklaratën e Haradinajt – se bëhet fjalë për një krizë të rreme.
Megjithëse ende është e tepërt të flitet për “krizë humanitare”, banorët e veriut të Kosovës do të pajtohen se kriza tashmë ekziston.
Bojkoti “solidarizues”
Tregtarët nga veriu i Kosovës, dhjetë ditë më parë, pas arrestimit të dhjetëra njerëzve të dyshuar për kontrabandë, ndaluan përdorimin e rrugëve alternative për futjen e mallrave nga Serbia. Nëpër këto rrugë alternative, komuniteti serb për vitet të tëra ilegalisht furnizohet me barna dhe tekste shkollore, gjë që këtu konsiderohet si “kontrabandë e justifikuar”.
“Mallrat vinin ashtu si duhej të vinte, na duhej ta bënim këtë”, rrëfen një tregtar, duke u përgjigjur në pyetjen se pse deri tash nuk kishte mungesë mallrash.
Gjatë muajve të fundit, sipas raporteve të medias, disa kamionë me mallra janë konfiskuar. Kontrabanda lulëzoi pas vendimit të qeverisë së Kosovës për të vendosur taksën për mallrat që importohen nga Serbia dhe BeH, nëntorin e kaluar.
Frigoriferët me prodhimet e qumështit rrallë janë të mbushur, në tregje ka gjithnjë e më shumë arka dhe tezga të zbrazëta.
Raftet dhe arkat e zbrazëta në Mitrovicë
Duke iu përgjigjur taksës së vendosur, tregtarët serbë vendosën që zëvendësimin për mallrat serbe, të mos e kërkojnë në jug të Ibrit, pra të mos blejnë mallra nga furnizuesit shqiptarë. “Lërë more, , çfarë lloj prodhimesh të Kosovës, çfarë prodhojnë ata? Kurrë diçka të tillë nuk kishte këtu”, tha një tregtar në tregun në veri të Mitrovicës. Ai tha se ka blerë nga furnizuesit shpërndarësit shqiptarë pemë dhe perime që vinin nga Maqedonia dhe Greqia.
Derisa tregtarët serbë në jug të Kosovës janë përshtatur, ata nga veriu kryesisht thonë se janë “solidarizuar” me qëllim që të mos blejnë produkte të Kosovës. Ka edhe të tillë që thonë se ashtu u është urdhëruar, por nuk duan të zbulojnë nëse u është bërë presion që të “solidarizohen”.
Bojkoti i tregtarëve do të përshkallëzohet në fillim të javës së ardhshme. Sipas paralajmërimeve, të gjitha dyqanet, barnatoret, restorantet dhe kafenetë do të mbyllen të hënën dhe të martën në komunat në veri të Kosovës.
Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç mohoi deklaratat e Haradinajt se ai [Vuçiqi] qëllimisht e ka inskenuar krizën. “Ne do të bëjmë atë që mundemi dhe çfarë është ajo – nuk do t’u tregoj. Nuk do të lejojmë që njerëzit tanë të vdesin të uritur, edhe pse shumë do ta donin këtë”, tha Vuçiq.
Kriza e orkestruar?
Miodrag Marinkoviq, një analist politik nga Mitrovica e veriut, beson se bojkoti i mallrave kosovare nuk ka asnjë bazë ekonomike, por është i motivuar politikisht, por në një farë mase është edhe i arsyeshëm. “Qytetarëve të veriut të Kosovës nuk u është lënë zgjedhja midis dy ose më shumë produkteve, por u është imponuar një treg dhe produkte e saj”, tha Marinkoviq për DW.
Në mënyrë të ngjashme mendojnë edhe qytetarët, ose të paktën kështu u thonë gazetarëve. Shumica me vendosmëri përgjigjet se në rastin e mungesës kronike nuk do të shkojnë në jug të Mitrovicës për të blerë edhe pse më parë kanë shkuar në qendrat tregtare në anën tjetër të urës.
Disa nuk do ta bëjnë këtë duke u sfiduar, por ka edhe të atillë që nuk kanë leverdi ekonomike që që çdo ditë t’i konvertojnë dinarët në euro. Në veri pothuajse tërë qarkullimi bëhet në dinarë, ndërsa në jug të lumit Ibër, me përjashtim të enklavave serbe, e vetmja monedhë e vlefshme është euro.
Sidoqoftë, të mësuar me kriza të shpeshta, krijohet përshtypja qytetarët vlerësojnë se as kjo situatë nuk do të zgjasë shumë dhe se diçka do të zgjidhet.
Pak serbë do ta kalojnë urën dhe do të shkojnë për furnizime në jug të Mitrovicës
As Marinkoviq nuk beson se koha në të cilën u krijua kriza e fundit ishte një rastësi. “Ky është një pozicionim përpara vazhdimit të negociatave dhe arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve. Prapavijë të njëjtë ka edhe shkaktari kryesor i kësaj krize, taksa e vendosur ndaj produkteve nga Serbia dhe BeH “.
Analisti serb megjithatë beson se bojkoti i produkteve të Kosovës është rezultat i presionit. “Nëse familjet e njerëzve nga veriu i Kosovës kishin nevojë për qumësht për fëmijë, ata do ta blinin në jug të Kosovës. Në këtë ata mund t’i parandalojë vetëm frikësimi i organizuar, presioni publik ose i fshehur. Një presion i tillë është aktualisht i dukshëm”, përfundon ai.
Nëse dyqanet lokale mbeten bosh për një kohë të gjatë, shumica e serbëve nga veriu do të shkojnë për blerje më të mëdha në Rashkë ose në Novi Pazar.