Kroacia liron ish-pjesëtarin e UÇK-së

17:11 | 22 Shtator 2026

Shtetasi i Republikës së Kosovës, Bajram Bajrami, është liruar nga autoritetet kroate.

Bajrami ishte ndaluar në Kroaci në bazë të një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia, lidhur me pretendime për kryerjen e veprave penale të krimeve të luftës, si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ministria e Drejtësisë në Kosovë ka bërë të ditur se që nga momentet e para të ndalimit, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka ndërmarrë veprimet e nevojshme institucionale për adresimin e rastit.

Më 14 gusht 2026, Gërvalla përmes një shkrese zyrtare drejtuar ministrit të Drejtësisë të Kroacisë, Damir Habijan, dhe autoriteteve kompetente, kishte kërkuar lirimin e menjëhershëm të shtetasit të Kosovës.

Sipas Ministrisë së Drejtësisë, çështja është diskutuar edhe gjatë një bisede telefonike të Gërvallës me homologun e saj kroat. Në këtë bisedë, ajo ka theksuar se “qytetarët e Republikës së Kosovës nuk mund të mbahen peng nga pretendime të tilla të Serbisë”, ndërsa për veprat e pretenduara të kryera në territorin e Kosovës, kompetenca, sipas qëndrimit të Kosovës, u takon institucioneve të drejtësisë së Republikës së Kosovës.

Ministria e Drejtësisë e ka cilësuar rastin si dëshmi se qytetarët e Kosovës nuk do të mbeten vetëm përballë përpjekjeve të Serbisë për t’i ndjekur dhe ndaluar përmes mekanizmave ndërkombëtarë.

“Republika e Kosovës do të jetë gjithmonë pranë qytetarëve të saj, për t’i mbrojtur me vendosmëri të drejtat e tyre, dinjitetin e Republikës së Kosovës dhe të vërtetën për luftën tonë të drejtë çlirimtare”, thuhet në njoftim.

Komento: