Kryediplomati gjerman: Njohja e Kosovës nga Serbia do të jetë element në dialog, palët duhet të jenë të gatshme për kompromise

16:52 | 22 Prill 2021

Maas: Njohja e Kosovës nga Serbia do të jetë element në dialog, palët duhet të jenë të gatshme për kompromise.

Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas tha se në dialog njohja e Kosovës nga Serbia do të jetë një elementet e zgjidhjes derisa palët duhet të jenë të gatshme për kompromise.

I pyetur në konferencën për media se a do t’i thotë Gjermania Serbisë që ta njeh Kosovën në fund të këtij procesi, Maas u shpreh se njohja e Kosovës do të jetë një nga elementet e zgjidhjes në dialog.

“Sa i përket dialogut, natyrisht që njohja e Kosovës do të jetë një nga elementet e zgjidhjes përndryshe nuk do të realizohet dhe përtej kësaj nga të dy anët kjo është normale në dialogjet për normalizim ku edhe ka kompromise dhe nuk dua të tërheq linja të kuqe mirëpo e di që përshkak të rrethanave historike do të jetë e vështirë, unë dëshiroj që në fund të procesit të gjejmë zgjidhje dhe dy palët duhet të gjejnë gatishmëri për kompromise”, tha Maas

Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas në konferencën për media me presidenten Vjosa Osmani ka thënë se ridefinimi i kufijve në Ballkan është një ide e së kaluarës dhe Gjermania është kundër.

Maas u shpreh se ideja e ndryshimit të kufijve është e rrezikshme dhe jorealiste.

“Me këtë rast dua të nënvizoj qartë që idetë për vizatim të vijave në harta ne i konsiderojmë jorealiste dhe shumë të rrezikshme. Jam i lumtur që përpjekja e fundit shpejt të futet në sirtar dhe përfundimisht të jetë një dosje e së kaluarës”, tha Maas.

Sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën, ministri Maas ka thënë se BE-ja duhet të përmbushë premtimin e dhënë dhe t’ia heqë vizat Kosovës.

“Unë e di që liberalizimi I vizave është i rëndësishëm për qytetarët, qëndrimi i Gjermanisë është i qartë Kosova ka përmbushur kriteret për vizat dhe ato duhet të hiqen. BE-ja duhet t’i përmbahet premtimit që i ka dhënë Kosovës dhe në presidencën e Gjermanisë ka qenë prioritet dhe ne do të angazhohemi që liberalizimi i vizave të realizohet sa më shpejt”, tha ai.

Kryediplomati gjerman shprehu edhe njëherë mbështetjen që Gjermania i jep procesit të dialogut dhe Emisarit Lajcak që ndërmjetëson atë.

“Zonja presidente një pengesë për zhvillimin e rajonit është raporti biletaral mes Kosovës dhe Serbisë, lidhur me këtë unë kam theksuar mbështetjen e pakusht për dialogun për normalizim mes Kosovës dhe Serbisë, të moderuar nga BE-ja. Kam dëgjuar edhe temat që janë të rëndësihme për njerëzit në Kosovë dhe unë do t’i përcjell këto Lajcakut dhe do të flas me të i cili mbështetet nga ne në punën e tij. Qeveria e re e ka një program ambcioz në luftën e krimit dhe korrupsionit dhe të cilat përputhen me pritjet e qytetarëve të Kosovës për të cilën do të bisedoj me kryeministrin Kurti. Unë ju siguroj që Gjermania do të jetë përkrah jush”, tha ministri i jashtëm gjerman.

Ndërkaq sa i përket dialogut, presidentja Osmani tha se në dialog Kosova nuk do të hyjë në aventura siç janë ndryshimi i kufijve dhe ndryshimi i kushtetueshmërisë.

“Për neve procesi i dialogut ka nevojë për një “reset”, institucionet do të shqyrtojnë secilën marrëveshje dhe në dialog Kosova nuk do të pranojë të hyjë në aventura të rrezikshme siç janë ndryshimi i kufijve apo ndryshimi i kushtetuetshmërisë. Presim që ky proces të përfundojë me njohje reciproke”, tha Osmani.

Komento: