Dendias flet për dialogun Kosovë-Serbi: Të zbatohet ajo që është arritur.
Ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Dendias, sot po qëndron në Prishtinë në kuadër të një vizite zyrtare që po zhvillon në rajon.
Në një konferencë të përbashkët për media me homologen e tij kosovare, ai tha se ardhja e tij rajon nënvizojnë rëndësinë që Greqia i kushton rajonit dhe bashkëpunimit të afërt me Ballkanin Perëndimor.
Dendias foli edhe për raportet Kosovë-Serbi, duke thënë se shteti i tij mbështet dialogun në Bruksel dhe marrëveshjen gjithëpërfshirëse sipas ligjeve ndërkombëtare mes të dyja vendeve, raporton Gazeta Express.
“Të zbatohet ajo që është arritur, ky ishte edhe mesazhi im në Beograd”.
Dendias tha se në rajon s’duhet lejuar palët e treta të përzihen për shkak të situatës gjeopolitike në Europë.
“Mbështesim rolin e EULEX-it që ka në Kosovë po ashtu edhe Lajçakun dhe Escobarin. Është zotimi ynë që Ballkani Perëndimor të jetë në rrugën drejt BE-së. BE është destinacioni përfundimtar për të gjithë në Ballkanin Perëndimor. Duhet të jetë pika përfundimtare për të gjithë”.
Dendias ka refuzuar të mbajë konferencë e të fotografohet para logos së Republikës së Kosovës, prandaj ka ndërruar edhe vendi i zakonshëm brenda MPJ-së ku mbahen konferencat.
Dendias shtoi se me ministren Gërvalla folën edhe për mundësinë e zgjerimit të bashkëpunimet mes dy vendeve në fusha të ndryshme.
“Jam i lumtur me shifrat tregtare që po përmirësohen”.
Ndërkaq, ai foli edhe për krizën në energji, duke thënë se vendi i tij mund t’i ndihmojë vendet e Ballkanit Perëndimor për ta përballuar atë.
“Greqia është e gatshme të ndihmojë sa i përket Ballkanit Perëndimor dhe ju që pastaj të jeni të pavarur në aspektin e energjisë dhe të largoheni nga thëngjilli”.