Bengjet Pacolli beson se brenda këtij viti kosovarët do të lëvizin lirshëm drejt Bashkimit Evropian.
Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli para deputetëve të Komisionit për Integrime Evropiane, është shprehur i sigurt se liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës do të ndodhë brenda këtij viti.
Kurse, për pretendimet mbi tërheqjet e njohjeve, ai iu tha deputetëve të mos mërziten sepse nuk ka asnjë vendim të tillë në mënyrë zyrtare dhe se Kosova ende ka 116 njohje.
Sigurinë për liberalizim të vizave shefit të diplomacisë kosovare ia japin deklarimet e zyrtarëve të BE-së, dhe takimet që ai thotë se ka realizuar me zyrtarë të Francës dhe Gjermanisë. Mirëpo, hezitim për largim të vizave, Pacolli thekson se ka nga ana e Holandës.
Mbi pretendimet mbi tërheqjen e njohjeve ndaj Kosovës, Pacolli tha se ato do të demantohen me anë të vizitave që do të ndodhin në Kosova nga përfaqësues të atyre shteteve që po pretendohet që kanë tërhequr njohjen.
Ndërsa theksoi se ato kryesisht po orkestrohen nga Serbia ndaj shteteve të vogla dhe siç i cilëson të dobëta ekonomikisht.
Në lidhje me njohjet e reja ai tha se kjo është vështirësuar për shkak të ndryshimit të gjeopolitikës ndërkombëtare.
Përkundër kësaj, ai tha se gjatë mandatit të tij kanë ndodhur dy njohje, mirëpo pa përmendur emra konkret.
Deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Ismet Beqiri u shpreh se diplomacia kosovare është në gjendje të mjerueshme, për arsye sipas tij se ka mendime të ndryshime të institucioneve për politikat e jashtme dhe nuk flasim me zë.
Për këtë çështje, ai pati një fjalë interesante, duke iu referuar aeroplanit privat që e ka ministri Pacolli, sepse sipas tij, pa të do të ishte i mangët nga përkrahja.
Deputeti tjetër opozitar nga Lëvizja Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi adresoi kritika ndaj raportit të MPJ, ku sipas tij kanë dështuar në shumë segmente.
Siç pretendon Kurteshi, ka disa dështime të ministrit Pacolli, si mungesa e njohjeve dhe mos anëtarësimi në organizatave ndërkombëtare.
Ndërsa, kryetarja e komisionit, Blerta Deliu-Kodra u shpreh se janë shqetësuese pretendimet për tërheqjen e njohjeve, ai kërkoi nga ministri Pacolli që të jenë më të vëmendshëm në këtë çështje.
Shefi i diplomacisë kosovare foli dhe për zbatimin e MSA-së, ku tha se ajo dallon nga vendet e rajonit për shkak të mos njohjes nga 5 vendet e BE-së dhe se janë duke u përgaditur që të jenë të gatshëm për partneritet me BE-në
Për demarkacionin me Malin e Zi, Pacolli tha se delemitimi i kufirit me ta ende nuk ka ndodhur dhe se si do të jetë fundi ai nuk e di.
Shefi i diplomacisë, gjithashtu i njoftoi deputetët për angazhimin e tyre në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe hapjen e ambasadave të reja në shtete të ndryshme, ku tha se shumë shpejt pritet të hapet në disa shtete.
Në lidhje me ardhjen e qytetarëve kosovar nga Siria, ai tha se është veprim i duhur, pasi siç konsideron ai Kosova duhet të përkujdeset për gjithë qytetarët e saj.