Kryediplomatja kosovare kërkon që BE ta dënojë Vuçiqin, thotë se Borrell po e inkurajon përshkallëzimin e situates

17:09 | 11 December 2022

Gërvalla kërkon që BE ta dënojë Vuçiqin, thotë se Borrell po e inkurajon përshkallëzimin e situates.

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, i ka reaguar shefit të diplomacisë së Bashkimit Europian, Josep Borrell, i cili e dënoi sulmin ndaj një patrulle të EULEX-it në veri të Kosovës.

Gërvalla tha se Borrell njësoj duhet t’i dënonte edhe të shtënat me armë ndaj Policisë së Kosovës.

“Çdo jetë ka rëndësi. HRVP Borrell gjithashtu duhet t’i dënojë të shtënat ndaj Policisë së Kosovës duke përmbushur detyrën e saj dhe duke i mbrojtur të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës nga sulmet e bandave kriminale. Deklaratat që nuk e dënojnë Vuçiqin për agresionin e tij të hapur inkurajojnë përshkallëzimin e mëtejshëm”, ka shkruar kryediplomatja kosovare.

Borrell tha më herët se “BE nuk do t’i tolerojë sulmet ndaj EULEX-it ose përdorimin e akteve të dhunshme kriminale në veri”.

“Barrikadat duhet të hiqen menjëherë nga grupet e serbëve të Kosovës. Duhet të rivendoset qetësia. EULEX-i do të vazhdojë të koordinohet me autoritetet e Kosovës dhe KFOR-in”, ka shkruar Borrell, duke shtuar se të gjithë duhet ta shmangin përshkallëzimin.

Komento: