
Kryeministri Albin Kurti, ka përkujtuar 27 vjetorin e masakrës në fshatin Kotlinë, duke rikujtuar krimet e kryera nga forcat serbe ndaj civilëve të pambrojtur më 24 mars të vitit 1999, shkruan Gazeta 10.
Kurti përmes një postimi në Facebook tregoi ngjarjen që kishte ndodhur 27 vite më parë në fshatin Kotlinë. Ai tha se në orët e para të 24 marsit 1999, forcat serbe rrethuan fshatin me tanke dhe automjete të blinduara, ndërsa pjesëtarë të Brigadës së Mekanizuar 243 të Ushtrisë së Jugosllavisë, në bashkëpunim me njësite speciale të policisë, mblodhën me forcë banorët në qendër të fshatit duke ushtruar dhunë dhe duke i keqtrajtuar banorët.
Kurti theksoi se pas torturave, forcat serbe vranë tre të moshuar, trupat e të cilëve më pas i dogjën në një akt çnjerëzor. Gratë, fëmijët dhe të moshuarit u dëbuan me dhunë, ndërsa burrat u ndanë dhe u torturuan.
Ai rikujtoi se fshati u shkatërrua pothuajse tërësisht – u dogjën shtëpitë, shkolla dhe ambulanca – ndërsa 35 të rinj u morën peng dhe u dërguan drejt maleve. Prej tyre, 22 u vranë, përfshirë edhe djem të moshës 16-17 vjeçare. Trupat e viktimave u hodhën në bunare dhe u mbuluan me eksploziv, në përpjekje për të fshehur krimin.
Kryeministri përmendi se gjashtë muaj më vonë, në shtator 1999, ekipe të Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë dokumentuan varreza masive në këto bunare, duke siguruar prova për krimet dhe përpjekjet për fshehjen e tyre.
Kurti theksoi gjithashtu se, megjithëse ish-gjenerali serb Vllastimir Gjorgjeviq është dënuar nga drejtësia ndërkombëtare, autorët e drejtpërdrejtë të kësaj masakre ende nuk janë përballur me drejtësinë.
“Në përvjetorin e 27-të, kujtojmë me dhimbje dhe nderim të gjithë të vrarët e Kotlinës. Lavdi të gjithë të rënëve për lirinë e Kosovës”, tha Kurti në postimin e tij./Gazeta 10
Postimi i tij i plotë: