Kurti ambasadorëve të QUINT-it në OSBE: Propozimi europian i pranueshëm si bazë për diskutime.
Sot në Prishtinë kanë qëndruar ambasadorët e shteteve të QUINT-it në OSBE. Ata bashkë me ambasadorin britanik Nicholas Abott kanë zhvilluar një takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.
Temë e diskutimeve ka qenë pashmangshëm edhe dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe propozimi franko-gjerman për arritjen e një marrëveshje mes dy shteteve, raporton Gazeta Express.
Siç njofton kryeministria, Kurti kur ka folur për propozimin e BE-së ka theksuar se ai është i pranueshëm si bazë e mirë për diskutime të mëtejshme dhe një platformë solide për të lëvizur përpara.
“Në takim u diskutua edhe për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe për propozimin evropian, për të cilin Kryeministri Kurti tha se është i pranueshëm si bazë e mirë për diskutime të mëtutjeshme dhe platformë solide për të ecur përpara”, thuhet në komunikatën e ZKM-së.
Siç thuhet në njoftim Kurti ka njoftuar ambasadorët e QUINT-it me zhvillimet e fundit në vend dhe “për punën dhe të arriturat e qeverisë në fushën e sundimit të ligjit, për reformat e ndërmarra, progresin ekonomik e demokratik që janë evidentuar edhe në raportet ndërkombëtare përfshirë këtu edhe atë të Bashkimit Evropian”.