Kryeministri bullgar thotë se Shkupi duhet të pranojë propozimin francez për çështjen me Bullgarinë

23:30 | 10 July 2022

Kiril Petkov, ka folur për zhvillimet e fundit.

Kryeministri bullgar në largim, Kiril Petkov tha të dielën se propozimi francez për zgjidhjen e kontestit me Maqedoninë e Veriut është jashtëzakonisht i mirë për Sofjen.

Petkov në një intervistë për televizionin bullgar, BTV tha se “për Maqedoninë e Veriut për momentin është shumë e vështirë të pranohen ato pozicione”, por sipas tij “ky vend duhet ta bëjë këtë dhe të zgjedhë rrugën evropiane”.

Ai tha se “do të ishte e tmerrshme nëse Shqipëria vazhdon procesin e anëtarësimit në BE dhe Maqedonia e Veriut mbetet jashtë saj”.

“Në Maqedoninë e Veriut duhet të kuptojnë se nëse duan të zhvillohen, rruga evropiane është e vetmja rrugë për atë vend”, ka deklaruar Petkov.

Propozimi francez për fillimin e negociatave me BE-në pritet të shqyrtohet javën e ardhshme nga deputetët në Kuvendin e Maqedonisë.

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, tha të premten, më 8 korrik, se në koordinimin e rregullt të së hënës në Kuvend, duhet të diskutohet se kur mund të mbahet seancë plenare për informimin e qeverisë për propozimin e kornizës negociuese për negociatat e anëtarësimit me BE-në.

Më 30 qershor, qeveria publikoi propozimin francez për fillimin e negociatave ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe BE-së, i përbërë nga tre dokumente, pas së cilës filluan protestat në Shkup ku morën pjesë mijëra qytetarë nën moton “Stop bullgarizimit të Maqedonisë”.

Protestat janë bërë nga partitë opozitare VMRO-DPMNE dhe “E Majta”, të cilat propozimin e vlerësojnë të dëmshëm për interesat shtetërore dhe kombëtare maqedonase.

Partitë në pushtet kanë thënë se ky është propozimi më i mirë që garanton gjuhën maqedonase sikur edhe identitetin dhe të kaluarën historike andej edhe duhet të pranohet që Maqedonia e Veriut të mos lëshoj mundësinë për zhbllokimin e procesit integrues.

Komento: