Kreu i Qeverisë Ramush Haradinaj ka thënë se për të nuk ka veteranë të rrejshëm.
Haradinaj, ka zhvilluar sot një takim në Deçan me familjarë të dëshmorëve të kësaj komune. Atje, Haradinaj foli për fryrjen e listës së veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
I pari i qeverisë së vendit ka thënë se kjo është vetëm një zhurmë dhe se do të vijë dita që të gjithë do të kuptojnë se ka pasur të drejtë në deklaratat e tij, se nuk ka veteranë të rrejshëm.
“Për mua nuk ka veteranë të rrejshëm. Për mua të gjithë janë veteranë të gjithë kanë luftuar. Të gjithë janë angazhuar. Nuk e kuptoj pse u bë gjithë ajo zhurmë, por do të vijë dita që do të kuptojnë të gjithë se s’kanë pasur të drejtë. Unë e di që krejt populli i Dukagjinit janë kanë në këto vendbanime, i madh e i vogël. Cilido katund, ku kam shkuar, iu është dash me qëndruar aty… Unë e di që në Dukagjin janë dhjetëra-mijëra njerëz që janë kanë direkt në luftë”, tha Haradinaj.
Gjatë takimit me famijet e dëshmorëve, Haradinaj tha se vendi është në javën e përvjetorit të Pavarësisë, teksa bëhen 11 vjet që kur Kosova u bë shtet sovran dhe i pavarur.
“ Kjo javë ka rastisur që të fillojë në Deçan, një rastësi e cila është me meritë. Pra Deçani dhe kjo trevë e Dukagjinit, vërtet janë me meritë për lirinë e atdheut tonë, pavarësinë”, tha kryeministri Haradinaj, duke theksuar se e drejta e shqiptarëve është studiuar e trajtuar nga shumë mendimtarë e njohës të zhvillimeve, jo vetëm në Ballkan por edhe në botë.
Ndër tjerash, kryeministri Haradinaj tha se si populli më i vjetër në Ballkan, edhe historia e shqiptarëve është prej më të hershmëve dhe se vërteta e tyre është prej më të parave në Ballkan, dhe kësisoj gjithë rrugëtimin e shqiptarëve deri këtu, sot askush nuk e konteston.
“Në luftën e ’98 e ’99 të UÇK-së me ndihmën e NATO-s të prirë nga Amerika, e për të cilën ne jemi mirënjohës ndaj tyre, u realizua një pjesë e të drejtës shqiptare e cila kishte mbetur peng me mijëra vjet përpjekjesh, e që ajo ishte Kosova”, theksoi Haradinaj.
Për rastin e veteranëve të rremë, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës vitin e kaluar ka ngritur aktakuzë kundër 12 personave.