Kryeministri Haradinaj konfirmon marrëveshjen me SBASHK-un, mësimi fillon të hënën

10:03 | 01 February 2019

Greva në arsim do të përfundojë.

Kryeministri Ramush Haradinaj ka njoftuar se kanë arritur marrëveshjen me përfaqësuesit e SBASHK-ut, dhe se janë dakorduar që mësimi të fillojë të hënën.

Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka thënë se dialogu do të vazhdojë në funksion të përmirësimit të sistemit arsimor në vend.

“Sot, në takim me kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli dhe përfaqësuesit e SBAShK-ut përfunduam marrëveshjen me sindikatat dhe u dakorduam që mësimi të fillojë të hënën. Dialogu ynë do të vazhdojë në funksion të përmirësimit të sistemit arsimor në vend. Urime nxënës!”, ka shkruar Haradinaj.

Se mësimi do të fillojë të hënën ka njoftuar edhe kryeparlamentari Veseli.

Sipas një njoftimi për media të Zyrës së Veselit thuhet se kreu i parlamentit “ka arritur që në një takim në kabinetin e tij në Kuvend të bindë sindikatën e arsimit ta ndërpresë grevën dhe nga e hëna mësimi të fillojë”.

“Urime mësimdhënës dhe nxënës të dashur! Mësimi fillon të hënën”, ka shkruar Veseli në faqen e tij në Facebook.

Ndryshe, mbrëmë kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, kishte thënë se nëse nuk do të plotësohen kërkesat e tyre, atëherë greva do të mbahet në afat të pacaktuar.
“Unë uroj që të shtunën deputetët të mendojnë me koka të ftohta dhe të plotësojnë kërkesat tona. Në të kundërtën, do të vazhdojnë grevat”, kishte thënë Jasharaj.

Komento: